Politike

Negociatat për anëtarësimin në BE/ Rama: Italia, mbështetësi kryesor! Detyrat që na la Brukseli i kemi përmbushur

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për marrëdhëniet me Italinë, ku i cilësoi si të forta dhe të konsoliduara, veçanërisht në vitet e fundit.

30 Mars 2026, 16:30 Nga E. D
Negociatat për anëtarësimin në BE/ Rama:  Italia,
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për emisionin “EstOvest” në RAI, ku ka folur për procesin e integrimit në BE dhe marrëdhëniet me Italinë. Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë më dinamike dhe të përshpejtuar. 

Kryeministri tha se përshpejtimi i procesit lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrimeve nga ana e Shqipërisë, por edhe me një klimë më të favorshme në Bruksel për zgjerimin e BE-së.

“Po. Është e vërtetë. Prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë. Falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara," tha Rama.

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për marrëdhëniet me Italinë, ku i cilësoi si të forta dhe të konsoliduara, veçanërisht në vitet e fundit. Rama u shpreh se Italia është mbështetësi kryesor i Shqipërisë, dhe se Korridori 8 është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm dhe sipas tij ka hyrë në një fazë të re falë qeverisë italiane.

“Italia nuk është një nga mbështetëset kryesore, por është mbështetësi kryesor i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.Korridori 8 është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm që, në të vërtetë, falë kësaj qeverie që është në Itali, përfundimisht ka hyrë në një fazë të re”, u shpreh kryeministri.

Rama u pyet në emisionin “EstOvest” edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë. Ai e konsideroi këtë një projekt të rëndësishëm përtej Italisë. Sipas Ramës, ky është një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia.

“Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve Arabe për këtë projekt, që është sërish një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia”, tha Rama./Dosja.al

edi rama be rai estovest itali

Sondazh

Poll