Politike

Berisha: Shqipërisë në Europë ia mbylli dyert Edi Rama dhe Balluku

Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se do të ishte e padrejtë që të shkarkohej mbi Ballukun kjo përgjegjësi, pasi theksoi se përgjegjës kryesor është Rama.

30 Mars 2026, 12:51 Nga I.A
Berisha: Shqipërisë në Europë ia mbylli dyert Edi Rama dhe
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati, Sali Berisha në një dalje për mediat sulmoi Edi Ramën në lidhje me Bashkimin Evropian. Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se do të ishte e padrejtë që të shkarkohej mbi Ballukun kjo përgjegjësi, pasi theksoi se përgjegjës kryesor është Rama.

Berisha tha se Rama mbylli rrugëtimin e Shqipërisë në BE për të shpëtuar nga dosja Balluku, që në fakt është dosja e tij.

'Për Shqipërinë dhe shqiptarët, procesi më themelor për të ardhmen e tyre është integrimi i vendit në BE. Shqipëria në Europë është ëndrra shekullore e shqiptarëve. Shqipëria në Europë është investimi i tyre 32-vjeçar. Por Shqipëria në Europë është gjithashtu investimi i BE, Komisionit Europian, vendeve anëtare të BE, miliarda, miliarda, miliarde euro me të cilat ky vend është transformuar sa asnjë vend tjetër, po të kemi parasysh gjendjen në të cilën ishte. Shqipërisë në Europë i mbylli dyert Edi Rama dhe Lubi Balluku. Do të ishte e padrejtë që të shkarkonim mbi Lubinë këtë përgjegjësi. Lubia ka përgjegjësi të mëdha për vjedhjet që ka bërë, për shpërdorimin, për vjedhjen e miliarda eurove. Lubia ka disponuar 12 miliardë euro investime dhe tani, sipas vetë Edi Ramës, janë ndërtuar thotë ai, që nuk janë kurrë, po le ta supozojmë që është e vërtetë, 1 mijë kilometra rrugë, të cilat u shembën si rrugë kashte njëra pas tjetrës në këtë pranverë.

Por, njeriu që mbylli dyert e Europës, duke përdorur për këtë qëllim dosjen e Lubisë, pasi është dosja e tij, është Edi Rama dhe ka vetëm një emër, që quhet Edi Rama. Në raportin e tij, në tetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian ka ngritur si çështje themelore për Shqipërinë rritjen e presionit politik ndaj gjyqësorit nga Edi Rama, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe problemet madhore me lirinë e medieve. Këto probleme jo vetëm që nuk morën një adresim të përshtatshëm dhe pozitiv, por njohën përkeqësimet më të mëdha në 32 vite. Për herë të parë, parlamenti i Shqipërisë bllokon kërkesën e prokurorisë së vendit për arrestimin e zëvendëskryeministres Lubi Balluku. Dhe këtë vendim, 83 mandatet e krimit që u përdorën si thika kundër drejtësisë nga Edi Rama, deputetët nuk e morën me vullnet të lirë, por në diktat të plotë të Edi Ramës. Madje, siç e dini, Edi Rama deklaroi në mënyrë të papërgjegjshme se këtë vendim të tillë do ta merrte çdo parlament i çdo vendi demokratik. E vërteta është se një vendim të tillë nuk e merrte kurrë parlamenti i një vendi demokratik. E vërteta është se për Brukselin, për shqiptarët dhe për cilindo njeri që ka ABC-në e shtetit ligjor, ky është një vendim antikushtetues me pasoja shumë të rënda, shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit,' tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll