Aktualitet

PROFIL/ U emërua si Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, kush është Skënder Hita

Mësohet se Hita ka qenë drejtor i Policisë së Fierit dhe një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e uniformave blu.

30 Mars 2026, 12:03 Nga D.S
PROFIL/ U emërua si Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, kush
Skender Hita

TIRANË- Në Këshillin e Ministrave është firmosur emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit. Mësohet se Hita ka qenë drejtor i Policisë së Fierit dhe një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e uniformave blu.

Skënder Hita ka ndërtuar një karrierë në strukturat e Policisë së Shtetit, duke u fokusuar kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurimin e rendit në qarqet më strategjike të Shqipërisë.

Përvoja e tij drejtuese nisi në Shkodër si drejtor i hetimit të krimit, për të vijuar më pas në krye të Policisë së Durrësit. Qark i cili mbetet një nga zonat më sfiduese për shkak të volumit të lartë të mallrave në portin më të madh të vendit dhe aktivitetit të dendur ekonomik.

Gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e tij spikat zbërthimi i dëshmisë së vëllezërve Beqiraj që hodhi dritë mbi vrasje me pagesë në Durrës dhe Tiranë. Pas këtyre sukseseve operacionale, Hita mori drejtimin e Policisë së Fierit, një tjetër qark me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare.

Megjithatë, kjo fazë e karrierës së tij u shoqërua me polemika të forta, pasi gjatë zgjedhjeve parlamentare ai u akuzua publikisht nga opozita për lidhje me grupe kriminale. Pavarësisht këtyre akuzave, profili i tij mbetet i lidhur ngushtë me menaxhimin e situatave të vështira në pikat më të nxehta të kriminalitetit në vend./Dosja.al

skender hita drejtori i ri i policisë së shtetit policia e shtetit

Sondazh

Poll