Politike

Përsëri përplasje brenda PS, Braçe dhe socialistët e njësisë 5 dalin kundër Ramës. A do kandidojë për Bashkinë e Tiranës?

Gjatë Asamblesë në këtë njësi, burime për Dosja.al, bëjnë me dije se socialistët kanë kërkuar takim me kryeministrin Rama.

29 Mars 2026, 12:49 Nga I.A
Përsëri përplasje brenda PS, Braçe dhe socialistët e
Foto ilustruse

TIRANË- Përplasjet në Partinë Socialiste nuk janë më të izoluara dhe situata nuk është aq e qetë sa prezantohet në publik. Pas përplasjeve të djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar dhe qeverisë në Pallatin e Brigadave mes Kryeministrit Rama dhe deputetës Elisa Spiropali, një tjetër përplasje ka ndodhur, por këtë herë në njësinë 5 në Tiranë.

Gjatë Asamblesë në këtë njësi, burime për Dosja.al, bëjnë me dije se socialistët kanë kërkuar takim me kryeministrin Rama. Shkaku i kërkesës së tyre ka ardhur për shkak të mos punësimit të socialistëve në administratë apo Bashki.

Në mënyrë për të qetësuar situatën me socialistët, drejtuesi i kësaj njësie, Taulant Balla ka folur në emër të Ramës, duke u thënë atyre se kanë porosi nga Kryeministri që të mos bëjnë punësime nepotike. Por kjo nuk ka ndryshuar situatën te socialistët, të cilët kanë këmbëngulur për tu takuar me Ramën.

Në këtë moment, ka dalë deputeti Erion Braçe, i cili mes situatës së tensionuar ka deklaruar se do të kandidojë në Bashkinë Tiranë për ta drejtuar atë. Sipas Braçes, situata aktuale kërkon ndryshim organizimi dhe paralajmëroi se do të kërkojë mbështetjen e socialistëve në të gjithë Tiranën. Deputeti deklaroi se, nëse nuk zgjidhet si kandidat zyrtar i PS-së, do të garojë si kandidat i pavarur për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit.

“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, deklaroi socialisti.

Këto raste të tilla brenda PS-së konfimojnë se situata brenda Partisë Socialiste nuk është aq e qetë sa duket. Ndërkohë që momente përplasjesh mes anëtarëve të PS-së dhe Ramës apo rrethit të tij të bindur, tregojnë se flluska e sapunit është gati të plasë./Dosja.al

erion braçe edi rama tiranë

Sondazh

Poll