Politike

Imuniteti i Ballukut, flet Marta Kos: SPAK po reagon shumë mirë. Shqiptarët e pranojnë korrupsionin

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos e pyetur në forumin 'Politico' për rastet e korrupsionit në Shqipëri dhe reagimin e qeverisë. theksoi se çdo veprim është nën monitorim nga BE. 

24 Mars 2026, 14:32 Nga I.A
Imuniteti i Ballukut, flet Marta Kos: SPAK po reagon shumë mirë.
Marta Kos

BRUKSEL- Brukseli ka nën monitorim situatën në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit. Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos e pyetur në forumin 'Politico' për rastet e korrupsionit në Shqipëri dhe reagimin e qeverisë. Kos theksoi se çdo veprim është nën monitorim nga BE. 

Gjatë fjalës së saj, Kos e cilësoi punën e SPAK si të mirë, por theksoi se rëndësi nuk ka vetëm hetimi i çështjes por edhe reagimet që sjell ajo. Sipas Kos, sfida kryesore për vendet kandidate mbetet jo vetëm krijimi i një kuadri të fortë ligjor, por edhe ndryshimi i perceptimit shoqëror ndaj korrupsionit.

“Janë disa çështje, ju përmendët rastin e çështjes Balluku, të cilat ne po i monitorojmë me vëmendje. Siç e dini SPAK po bën një punë të shkëlqyer në Shqipëri dhe në fakt është normale që ata të hetojnë apo të gjejnë shkelje. Një tjetër element për ne është edhe fakti se përpos çështjeve nën hetim, të rëndësishme janë dhe reagimet. Ne po monitorojmë edhe ato”, tha Kos.

Komisionerja u shpreh se lufta kundër korrupsionit është e ndërlikuar pasi duhet të punohet edhe për ndryshimin e qasjes ndaj fenomenit dhe jo vetëm rregullimit të ligjit. Teksa ende po fliste për Shqipërinë gjatë intervistës, Kos u shpreh se eliminimi i korrupsionit në një vend, nuk varet vetëm nga ligjet anti-korrupsion që miratohen, por edhe nga mendësia e popullit në raport me fenomenin.

"Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thosha për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë", tha Kos./Dosja.al

marta kos

Sondazh

Poll