Sport

Pep Guardiola në bankën e të akuzuarve, për mënyrën se si po e trajton... Rayan Cherkin!

Trajneri i Manchester Cityt është kritikuar ashpër në Angli për mënyrën se si e ka trajtuar Cherkin. Ja detajet.

17 Mars 2026, 15:15 Nga DOSJA
Pep Guardiola në bankën e të akuzuarve, për

ANGLI - Trajneri më i mirë në botë e ka gjetur veten në bankën e të akuzuarve. Humbja e rëndë 3-0 e Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit të riorganizuar, ka shkaktuar polemika në shtypin anglez mbi zgjedhjet taktike të Pep Guardiolës.

Pika kryesore e debatit është përjashtimi i Rayan Cherkit në ndeshjen e parë, një lojtar i talentuar i marrë nga Lyon këtë verë. Ai u la jashtë nga formacioni titullar në favor të talenteve si Savinho dhe Semenyo. Në prag të ndeshjes vendimtare të kthimit në stadiumin Etihad, rasti i mesfushorit sulmues francez po e nxeh Anglinë.

Obsesioni me ekuilibrin

Trajneri katalanas, i akuzuar se ia ka komplikuar jetën pa nevojë në momente kyçe, iu përgjigj kritikave duke mbrojtur vendimet e tij. Lidhur me Cherkin, i cili është lënë në stol për tre ndeshjet e fundit, Pep ishte kategorik: 

"Është çështje ekuilibri. Me Erlingun, Cherkin dhe Jeremy Dokun në fushë, jemi të pabalancuar. Kemi nevojë për stabilitet. Më pëlqen të luaj me Rayanin; ndikimi i tij është i pabesueshëm, por ai nuk ka të njëjtin ritëm si Antoine Semenyo ose Nico O'Reilly kur sulmon zonën. Po kërkoj mënyrën më të mirë për të siguruar qëndrueshmëri për ekipin."

Shifrat e ish-lojtarit të Lyonit…

Megjithatë, shifrat e 22-vjeçarit flasin vetë: 9 gola dhe 10 asiste në 39 paraqitje këtë sezon. Mjaftueshme për të nxitur tabloidët si Daily Mail të kërkojnë me ngulm rolin e tij si titullar. "Pep Guardiola duhet t'i japë fund përdorimit të çuditshëm të Rayan Cherkit.

Ai ka një ndikim shkatërrues në hapësirat e rrezikshme rreth Haaland. Talenti i francezit është i pamohueshëm dhe kjo është koha e përkryer për ta lançuar atë", shkruante me bujë gazeta britanike, duke theksuar se si loja sulmuese e "Citizens" ka ndryshuar rrënjësisht me të në fushë.

Tronditja kundër Hammers…

Demonstrimi praktik u bë gjatë fundjavës kundër West Hamit. Pasi hyri në fushë në minutën e 60-të, Cherki ndezi dritat, duke i shërbyer menjëherë një top të artë Haaland dhe duke qenë pranë shënimit. Ndërkohë, vetë lojtari nuk po shkakton polemika dhe shpjegoi lidhjen e tij me trajnerin për France Football: 

"Ai mund të jetë më i ashpër se trajnerët e tjerë, por i do të gjithë lojtarët. Kemi një marrëdhënie të mirë, qeshim dhe flasim shpesh. Ai është i ashpër me mua, por edhe unë jam i ashpër me të, dhe kjo është e rëndësishme ."

A do të jetë e mjaftueshme kjo për të bindur Guardiolën ta aktivizojë atë si titullar kundër Real Madridit? E gjithë Anglia shpreson kështu.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll