Aktualitet

Protesta/ Policia: Do hetohen dhunuesit, ministri Lleshaj: Keqardhje për degradimin e opozitës

16 Mars 2019, 16:19 Nga DOSJA
Protesta/ Policia: Do hetohen dhunuesit, ministri Lleshaj: Keqardhje për

TIRANË- Pas përfundimit të protestës së opozitës, (Lexo këtu) e cila u zhvillua ditën e sotme, para godinës së Parlamentit dhe Kryeministrisë, policia e shtetit ka reguar me anë të një deklarate për shtyp. Me anë të kësaj deklarate, policia thekson se protesta, e organizuar nga PD dhe aleatët e saj ishte në kundërshtim të plotë me ligjin, si dhe u zhvillua në mënyrë të pa lajmëruar.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj në reagimin e tij, nënvizon faktin se policia e Shtetit ishte në shenjestër të dhunës të manifestuesve, që mësynë ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe sot Policia e Shtetit u vu në shënjestër të dhunës së verbër që mësynte ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Keqardhje për degradimin e opozitës parlamentare në gjendje parapolitike dhe respekt për përgjegjshmërinë e profesionalizimin e Policisë së Shtetit”, shkruan Lleshaj në një postim në rrjetet sociale.

Deklaratë e Policisë së Shtetit pas protestës së opozitës

Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.

Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin, duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Opozita ka zhvilluar ditën e sotme për rreth 4 orë protestën e saj kundër qeverisë Rama. (Lexo ketu). Bashkë me protestuesit, ata kanë marshuar tre herë rreth Kryeministrisë, e më pas kanë kaluar tek Kuvendi i Shqipërisë ku në përpjekje për të hyrë në godinë, janë përplasur me Policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotët e ujit me presion për t’i shpërndar.

Më pas kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe turma e protestuesve kanë shkuar në mënyrë simbolike tek memoriali i ‘heroit të demokracisë” Azem Hajdari, për ta mbyllur protestën me një fjalim para selisë blu. Si pasojë e përplasjes janë lënduar disa persona, mes tyre edhe policë, ndërkohë gjatë protestës Meta dhe Ambasada Britanike bënë thirrje për qetësi, ndërsa Rama i quajti prehistorike veprimet politike të opozitës.

(a.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet policia e shtetit protesta e opozites 16 mars 2019 sander lleshaj policia e shtetit protesta e opozites 16 mars 2019 sander lleshaj

Sondazh

Poll