Politike

Berisha: Rama është në rreth të kuq si Vuçiçi, edhe atij i doli Agasi në Beograd!

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha komentoi dhe deklaratat që bëhen në media për përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestës së opozitës.

2 Shkurt 2026, 13:43 Nga I.A
Berisha: Rama është në rreth të kuq si Vuçiçi,
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se Rama është në rreth të kuq si Vuçiç Beograd. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha komentoi dhe deklaratat që bëhen në media për përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestës së opozitës.

"Pra, ishte një javë e mirë për shqiptarët dhe ishte një javë siç e meritonte për narkokracinë dhe Edi Ramën. Përpiqet me çdo kusht, bën gjithçka për të dalë nga rrethi i kuq. Por forcë në botë që ta nxjerrë nga rrethi i kuq nuk ka. E ka krijuar vetë rrethin e kuq ky. Ky dhe mesa duket edhe sivëllai i tij, padroni i tij Vuçiç.
Se edhe atij i doli Ergys Agasi. Agasi i Vuçiçit ishte me pesë tonelata drogë. Nuk ka lidhje me qeverinë, tha, por ai ishte zyrtar shumë i lartë. Ishte njeri i rrethit të tij. Ishte ekzakt si Agasi.

Por, edhe ajo që është gjetur në Beograd, e rëndon edhe këtë, se dihet lidhja e ngushtë e tyre, është lidhje në krim. Ndaj dhe ne kemi përcaktuar protestën dhe vetëm protestën si rrugën e vetme më kryesore për t’u përballur me këtë regjim.
Data 10 është një ditë tjetër shumë e rëndësishme e kryengritjes paqësore kundër regjimit. Ju jeni me njerëzit, me takimet, konstatoni se çfarë zemërimi ka për këto qëndrime, dhe këtë zemërim qytetarët do ta shprehin në rrugët, sheshet e Tiranës. Ndaj dhe kjo javë duhet të jetë një përkushtim i plotë dhe total në takime me qytetarë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Në biseda, në sqarime, në debate sepse propaganda toksike e tij është verbuar, është tërbuar.

Ndaj dhe ne duhet t’i kundërvihemi me takime me qytetarët, ku ndër të tjera duhet të denoncojmë me forcë propagandën e turpshme të medieve që paguan, glorifikimin në shkallë ekstreme... e patë ju Top Tuneli falënderonte Ramën që përdori gaz lotsjellës të skaduar, sepse sipas Top Tunelit ky ishte më i dobët se gazi i paskaduar. A mund të arrijë në këtë nivel një media? As Enveri dhe Hitleri nuk mund ta çonin në këtë nivel propagandën e vet në këtë nivel që çon ky Top Tunelin të thotë që u bë favor protestuesve se u përdor gaz i skaduar. Imagjinoni ju se çfarë shpëlarje truri me paratë e vjedhura të qytetarëve u ka bërë Edi Rama medieve që kontrollon? A mund të shkonte fantazia? Se ato i merr nga zyra e Ramës të gjitha, aty është fabrika e trillimeve, mashtrimeve dhe manipulimeve," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll