Politike

“Bashkia nuk është pronë private”/ PBDNJ denoncon krijimin e një shoqërie private nga kryetari i Bashkisë Himarë: Akt flagrant i vjedhjes së pasurisë publike

Përmes një deklarate zyrtare, PBDNJ pretendon se Tavo ka krijuar një shoqëri private, me ortak të vetëm veten e tij dhe me një kapital prej 100 lekësh.

30 Janar 2026, 11:20 Nga I.A
 
“Bashkia nuk është pronë private”/ PBDNJ denoncon
PBDNJ

HIMARË- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar tentativën e Kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, për të për qëllime klienteliste pasuritë që i përkasin Bashkisë dhe banorëve të Himarës. Përmes një deklarate zyrtare, PBDNJ pretendon se Tavo ka krijuar një shoqëri private, me ortak të vetëm veten e tij dhe me një kapital prej 100 lekësh.

PBDNJ thekson se Tavo synon të administrojë, të japë me qira, të shesë apo të blejë prona të Bashkisë Himarë. Sipas PBDNJ-së, ky është privatizim i pushtetit dhe përvetësim i pasurisë publike.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të mos e votojnë “Himara Invest” sh.p.k., me ortak të vetëm Vangjel Tavo. Në fund të deklaratës së tyre, thuhet se bashkia nuk është pronë private dhe nuk është mall tregu për pushtetin.

DEKLARATË PËR SHTYP

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut denoncon me forcë tentativën e Kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, për të shtënë në dorë dhe për të përdorur për qëllime klienteliste pasuritë që i përkasin Bashkisë dhe gjithë popullit të Himarës, nëpërmjet një skeme mafioze që synon të miratohet në Këshillin Bashkiak, në mbledhjen e datës 30.01.2026.

Ky është një akt flagrant i tentativës për të vjedhur pasurinë publike nga të katapultuarit e Edi Ramës në Himarë, një akt që nuk ka asnjë justifikim politik, moral apo ligjor, por që provon arsyet dhe shkaqet pse u vodhën zgjedhjet në Himarë. Kryetari i Bashkisë ka krijuar një shoqëri private (SHPK), me ortak të vetëm veten e tij dhe me një kapital qesharak prej 100 lekësh, duke synuar të administrojë, të japë me qira, të shesë apo të blejë prona të Bashkisë, prona që nuk janë të tijat, por i përkasin qytetarëve dhe brezave të ardhshëm. Ky nuk është zhvillim. Ky nuk është menaxhim.

Ky është privatizim i pushtetit dhe përvetësim i pasurisë publike. Ligji është i qartë: pasuritë e Bashkisë administrohen vetëm nga Këshilli Bashkiak, jo nga një kryetar që sillet si pronar i qytetit dhe jo nga një kompani private në pronësi të tij. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë është shkelje e hapur e shtetit të së drejtës. Ky veprim përfaqëson një konflikt të rëndë interesi, ku pushteti publik përdoret për përfitim privat. Është shembulli më i keq i mënyrës se si politika keqpërdoret për t’i shërbyer interesave të një individi apo një grupi politik, dhe jo interesit të komunitetit. Vangjel Tavo, në gjurmët e shefit të tij që po ndan copa shteti për të mbajtur pushtetin, synon të tjetërsojë dhe të zhdukë pronën e përbashkët të himariotëve, duke krijuar një zinxhir klientelist interesash private-politike.

Ne nuk mund dhe nuk do ta pranojmë që prona e përbashkët të kthehet në biznes familjar, shoqëror apo partiak; që Bashkia të trajtohet si SHPK private dhe qytetarët si spektatorë pa zë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të mos e votojnë “Himara Invest” sh.p.k., me ortak të vetëm Vangjel Tavo dhe me kapital 100 lekë. Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të çdo veprimi të paligjshëm dhe transparencë të plotë mbi pasuritë publike. Bashkia nuk është pronë private! Pasuria publike nuk është mall tregu për pushtetin!/Dosja.al

pbdnj vangjel tavo

Sondazh

Poll