Politike

Lamallari konferencë me përfaqësues të KiE-së: Masat e paraburgimeve jo vetëm problem statistikor...

Ai theksoi më tej se Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë.

29 Janar 2026, 15:47 Nga E. D
Lamallari konferencë me përfaqësues të KiE-së: Masat e
Besfort Lamallari

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka mbajtur një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale- nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë problemin e paraburgimit në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari deklaroi se çështja e paraburgimit përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe më domethënëse për vendin tonë. Ai theksoi më tej se Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës, si dhe Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl – Gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antëerp në Belgjikë.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë.

Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur.

Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ministri Lamallari mes të tjerash./Dosja.al

besfort lamallari

Sondazh

Poll