Politike

Berisha: Amendamentet e opozitës u refuzuan sepse qëllimi i Ramës është të hapë rrugën për pastrimin e miliardave të drogës

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha u shpreh se në qoftë se një biznes deklaron 18 përqind tatim fitim më shumë se këtë vit, ai tatohet për normën e fitimit vetëm me 5 përqind.

9 Dhjetor 2025, 13:07 Nga E.d
Berisha: Amendamentet e opozitës u refuzuan sepse qëllimi i Ramës
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se amendamentet e opozitës u refuzuan, pasi sipas tij qëllimi i Ramës është të hapë rrugën për pastrimin e miliardave të drogës. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha u shpreh se në qoftë se një biznes deklaron 18 përqind tatim fitim më shumë se këtë vit, ai tatohet për normën e fitimit vetëm me 5 përqind.

Në lidhje me këtë ai tha se në këtë mënyrë, sektorë si ndërtimi, të cilët i cilësoi "lavatriçe e pastrimit të parave", nxiten të kryejnë një veprimtari të tillë. Lideri i opozitës deklaroi se kërkesa e opozitës për të përjashtuar sektorin e ndërtimit nga kjo skemë u refuzua nga Rama me qëllimin e pastrimit të parave në këtë fushë.

Berisha tha se është refuzuar edhe kërkesën e opozitës për transparencë për bizneset që përfitojnë nga falja. Nga zyra e selisë blu, lideri demokrat deklaroi se rrëzimi i amendamenteve të opozitës tregon qartë synimin, për të hapur rrugën për larjen e miliardave të klaneve shqiptare të drogës.

"Cilat janë mekanizmat që projektligjet e paraqitura për këtë qëllim hapin rrugë për fenomenet e mësipërme? 1.Rishikimi pa asnjë pasojë i bilanceve në tre vitet e fundit, duke u dhënë mundësitë bizneseve të rishikojnë të gjithë zërat, paratë cash, kapitalet e veta, etj, thjesht duke paguar 5 përqind tatim më shumë. Kërkesa e opozitës ishte që për çdo rast që verifikohej të viheshin në dijeni organet ligjzbatuese dhe të merrej drita jeshile prej tyre, por kjo kërkesë u refuzua sepse paratë duhet të lahen lirshëm.

Rrëzohet, me një fjalë, sistemi i vendosur në kuadrin e Moneyval për të parandaluar pastrimin e parave. 2. Deklarimi i tatim fitimit të ardhshëm për vitin 2026 duke eliminuar kontrollet fiskale. Në qoftë se një biznes deklaron 18 përqind tatim fitim më shumë se këtë vit, ai tatohet për normën e fitimit vetëm me 5 përqind. Në këtë mënyrë, sektorë si ndërtimi, lavatriçe e pastrimit të parave, pra sektor me rrezik të lartë, nxiten të kryejnë një veprimtari të tillë. Kërkesa e opozitës për të përjashtuar sektorin e ndërtimit nga kjo skemë u refuzua nga Ramaduro me qëllimin e pastrimit të parave në këtë fushë. Është refuzuar kërkesa e opozitës për transparencë për bizneset që përfitojnë nga falja. Në asnjë mënyrë, se janë  ‘çunat’ mbrapa. Falen detyrime në shumën 2 miliardë euro. Mund të jenë më shumë, po kaq është përllogaritja. Janë 200 mijë biznese që përfitojnë, nga të cilat 80 mijë janë aktive. E kuptoni ju se çfarë ishin zgjedhjet?

E kuptoni se zgjedhjet para dy miliardë eurosh, ishin një leckë. Fleta e votimit ishte një letër e vdekur. Vota e qytetarëve ishte e ekzekutuar. 2 miliardë euro. 200 mijë biznese. 80 mijë aktive. Imagjinojeni pak. Ne kërkuam të bëhen publike 3 mijë bizneset që përfitojnë si dhe çdo emër biznesi që përfiton më shumë se 50 mijë euro, por edhe kjo u refuzua në mënyrë kategorike sepse duhet që të lahen lirshëm miliardat e drogës për të shkatërruar, për të intoksuar përfundimisht ekonominë shqiptare. 4. Është refuzuar kërkesa e opozitës që nga falja të mos përfitojnë bizneset, pronarët e të cilave kanë biznese të tjera fitimprurëse. Edhe kjo kërkesë nuk u lejua. Rrëzimi i amendamenteve të opozitës tregon qartë synimin e këtyre ligjeve për të hapur rrugën për larjen e miliardave të klaneve shqiptare të drogës, karteleve shqiptare të drogës." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha opozita edi rama

Sondazh

Poll