Aktualitet

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit! Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj tre personave

Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

9 Dhjetor 2025, 13:05 Nga M.L
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit! Prokuroria Speciale e
Foto ilustruese

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

Aktakuza thotë se J.V. dhe D.V., së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”.

“J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, u tha në njoftimin për media.

Prokuroria Speciale tha se J.V. akuzohet po ashtu për spiunazh, pasi sipas saj, ai deri në momentin e arrestimit, “në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”./ REL

Sondazh

Poll