Politike

Berisha: Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë

Berisha kujtoi se deri në atë mëngjes të 8 dhjetorit, shqiptarët në Shqipëri jetonin nën diktaturën komuniste, ndërsa bashkëkombasit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Serbi përballeshin me regjimin represiv serb.

8 Dhjetor 2025, 12:08 Nga M.L
Berisha: Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të
Sali Berisha

TIRANA- Gjatë një aktiviteti përkujtimor për 8 Dhjetorin 1990 në Qytetin Studenti, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se kjo datë shënoi kthesën më të madhe në historinë e shqiptarëve, duke i dhënë fund një periudhe shtypjeje dhe mungese shprese.

Berisha kujtoi se deri në atë mëngjes të 8 dhjetorit, shqiptarët në Shqipëri jetonin nën diktaturën komuniste, ndërsa bashkëkombasit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Serbi përballeshin me regjimin represiv serb. Sipas tij, viti 1990 ishte shndërruar në një periudhë zhgënjimi të thellë, me protesta të shtypura dhe me një popull të lodhur nga varfëria dhe frika.

Ai theksoi se lëvizja studentore e dhjetorit arriti të kthejë këtë realitet “nga një vit i dëshpërimit në një vit mrekullie”, duke i hapur rrugën pluralizmit politik dhe vendosjes së themeleve të shoqërisë së lirë në Shqipëri.

Berisha u ndal edhe te ndikimi i kësaj lëvizjeje në proceset integruese të vendit, duke përmendur anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, NATO dhe marrjen e rekomandimit për statusin kandidat në BE. Ai theksoi se fryma e dhjetorit ndikoi edhe në çështjen kombëtare, duke kontribuar në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

FJALIMI:

Të dashur miq, gjer në mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit 1990, shqiptarët në Shqipëri përjetonin shtypjen e diktaturës më të egër, kurse shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbi, jetonin nën pushtimin barbar serb dhe kishin mbetur kolonia e fundit në Europë. Viti 1990 gjer në 8 dhjetor ishte për shqiptarët një vit i gjatë, një vit i tmerrshëm. Protestat e guximshme të qytetarëve të Shkodrës, të Kavajës, protesta e heshtur e Tiranës dhe kryengritja paqësore e 2 korrikut, e të rinjve që hynë në ambasada dhe ndezën zemrat dhe shpresat e shqiptarëve, u shtypën dhe bashkë me to shpresat e shqiptarëve të topitur që ndanin njëri me tjetrin frikën nga dhuna shtetërore dhe përtypnin në çdo kafshatë varfërinë dhe shumica e tyre mjerimin e vërtetë.

Ndaj mund të thuhet se gjer me 8 dhjetor, viti 1990 po mbyllej si vit i shpresave të vrara, i dëshpërimit të thellë, një anum horribilis për shqiptarët në historinë e tyre. Por lëvizja studentore e vitit 1990, beteja paqësore e studentëve në rrugë dhe sheshet e këtij qyteti të bekuar dhe në kryeqytetin e vendit, triumfi i tyre mbi diktaturën e shndërroi dhjetorin dhe vitin 1990 në vitin e mrekullisë të kombit shqiptar, anum mirabilis.

Hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri, të zëvendësimit të hiperkolektivizimit total me tregun e lirisë, tëdaljes së vendit nga izolimi më i thellë, të hapjes dhe integrimit evropian dhe euroatlantik të tij. Kjo lëvizje, çështjen kombëtare, nga një çështje e tradhtuar nga klika hoxhiste, e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj. Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare.

Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë. U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor. Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik. Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE. Kosova u bë e pavarur ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, i nderimit të veprës së pavdekshme të prijësit legjendar të asaj lëvizje, Azem Hajdari dhe studentëve liberatorë që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët. Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë. Azem, ti je gjallë!

sali berisha

Sondazh

Poll