Aktualitet

SPAK nënshkruan pesë memorandume mirëkuptimi me vendet e Amerikës Latine! Dumani: Institucioni është shndërruar në një kontribues të vërtetë të sigurisë

Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit efektiv me agjencitë partnere dhe nevojën për shkëmbim të shpejtë dhe të saktë të informacionit, si element kyç për përballimin e sfidave ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

5 Dhjetor 2025, 18:08 Nga M.L
SPAK nënshkruan pesë memorandume mirëkuptimi me vendet e
Foto ilustruese

HOLANDË- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, së bashku me prokuroren e posaçme Dorina Bejko, morën pjesë më 2–3 dhjetor në një takim të nivelit të lartë të prokurorëve nga katër vende të Ballkanit Perëndimor dhe 11 vende të Amerikës Latine, i zhvilluar në selinë e EUROJUST-it në Hagë.

Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit efektiv me agjencitë partnere dhe nevojën për shkëmbim të shpejtë dhe të saktë të informacionit, si element kyç për përballimin e sfidave ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

“SPAK ka kaluar nga një agjenci që kryesisht merrte informacion, në një institucion që furnizon partnerët ndërkombëtarë me të dhëna të verifikuara dhe operacionale, duke u shndërruar në një kontribues të vërtetë të sigurisë,” tha Dumani.

Në kuadër të takimit të nivelit të lartë të EUROJUST-it në Hagë, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi takime bilaterale me homologët e Paraguajit, Perusë, Kilit, Brazilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Ekuadorit.

Gjatë këtyre takimeve u nënshkruan gjithashtu pesë memorandume mirëkuptimi me prokuroritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Paraguajit. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, me fokus të veçantë trafikun e lëndëve narkotike.

Aktivitetet u zhvilluan brenda kuadrit të një eventi tre-ditor, më i madhi ndonjëherë i organizuar nga EUROJUST me partnerë nga vendet e treta. Përveç vendeve të Bashkimit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine, në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. 

Fokus i këtij eventi ishte forcimi i bashkëpunimit operacional mes këtyre rajoneve dhe Bashkimit Europian.

altin dumani

Sondazh

Poll