Aktualitet

Tentoi të korruptonte gjyqtarët e Apelit! Prona, një 'Audi' dhe garazhe në Tiranë, SPAK sekuestron pasuritë e Nikolla Hafësllarit dhe Erjol Mekshit

Vendimi penal parashikon bllokimin e këtyre pasurive: Dy garazhe në katin -1, me adresë në rrugën “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë; Një automjet tip “Audi A6”, prodhim i vitit 2005; Një apartament 87.89 m² në të njëjtën adresë; Një apartament tjetër prej 61.89 m².

3 Dhjetor 2025, 17:07 Nga M.L
Tentoi të korruptonte gjyqtarët e Apelit! Prona, një
SPAK

TIRANA- Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestro mbi disa pasuri të paluajtshme dhe një automjet që i përkasin Nikolla Hafësllarit, i cili po hetohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj gjyqtarëve. Sipas njoftimit të SPAK, masa e sekuestros përfshin edhe pasuritë e personit të lidhur me të, Erjol Mekshit.

Vendimi penal parashikon bllokimin e këtyre pasurive: Dy garazhe në katin -1, me adresë në rrugën “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë; Një automjet tip “Audi A6”, prodhim i vitit 2005; Një apartament 87.89 m² në të njëjtën adresë; Një apartament tjetër prej 61.89 m².

Zbatimi i masës është ngarkuar oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Nikolla Hafësllari, së bashku me Nikolla Jeskun, Blerand Kozicin dhe Artiana Kozicin, akuzohen për dhënien e një përfitimi të paligjshëm prej 5000 eurosh, me qëllim ndikimin te një gjyqtar i Apelit të Korçës për të lehtësuar pozitën procedurale të të pandehurit Blerand Kozici. Ky i fundit ishte nën masën “arrest në burg” në një hetim për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ndërkohë, avokatët Arben Lena dhe Dajana Kodra Ninga dyshohet se kanë marrë ryshfet duke premtuar se do të ndërhynin te gjyqtari për të favorizuar Kozicin.

Njoftimi i SPAK:

SPAK sekuestron pasuritë e një shtetasi të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për procedimin pasuror nr.9 të vitit 2025, për të cilin vijojnë hetimet. Procedimi ka të bëjë me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit, Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.

Shtetasi Hafësllari akuzohet për veprën penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim (nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal).

Ankimi është bërë kundër vendimit nr.18 datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit me vendimin 262, datë 2.12.2025 vendosi:

Ndryshimin e vendimt nr.18, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme së  Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për:

Sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:

Garazh me nr 6, kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,

Garazh me nr.7 , kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,

Automjet i markës “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005.

Apartament, nr.19/1, shkalla 2 kati III, me sip totale 87.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.

Apartament, nr 21, shkalla 2 kati III, me sip totale 61.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.

Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe  përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme ngarkohen administratorët e kësaj agjecie.

nikolla hafësllari erjol mekshi spak

Sondazh

Poll