Aktualitet

Arrestimit Nevzat Spahos për ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan/ Policia njoftim zyrtar: 29-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal! Akuzohet më parë për vrasje

Nga hetimet ka rezultuar se Nevzat Spaho, banues në Prrenjas, është arrestuar për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

3 Dhjetor 2025, 10:46 Nga E. D
Arrestimit Nevzat Spahos për ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan/
pamje nga arrestimi i Nevzat Spahos

ELBASAN- Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me vrasjen e biznesmenit në Elbasan, Mondi Mëhalla, ku u arrestua një person, që dyshohet se kreu ekzekutimin. Blutë sqarojnë se 29-vjeçar i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e biznesmenit, rezulton me precedent të theksuar kriminal.

Nga hetimet ka rezultuar se Nevzat Spaho, banues në Prrenjas, është arrestuar për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Gjithashtu janë sekuestruar 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Sakaq, Policia vijon hetimet intensive për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”.


Njoftimi i Policisë: 

Vijon operacioni policor i koduar “Strike”, me objektiv identifikimin, kapjen dhe individualizimin e përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit M. M. alias E. H.. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, është identifikuar dhe kapur një bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim.

I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje. Sekuestrohen 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Në vijim të veprimeve operacionale të kryera në bazë dhe për llogari të hetimeve intensive që po kryhen për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:

-N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje. Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u vra me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H..

Hetimet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Si ndodhi ngjarja? 

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./Dosja.al

nevzat spaho mondi mëhalla

Sondazh

Poll