Bota

U arrestua në Shqipëri, ‘bosi’ turk i kriptomonedhave Fatih Ozer gjendet i vdekur në qelinë e burgut

Mediat turke raportojnë se ai është gjetur i varur me një çarçaf në derën e banjës së qelisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

1 Nëntor 2025, 15:07 Nga M.L

U arrestua në Shqipëri, ‘bosi’ turk i kriptomonedhave

TURQI- Faruk Fatih Özer, biznesmeni turk i njohur si themelues dhe drejtues i platformës së kriptomonedhave Thodex, është gjetur pa shenja jete në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut. Mediat turke raportojnë se ai është gjetur i varur me një çarçaf në derën e banjës së qelisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Trupi i 29-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. Zyra e Prokurorit Publik të Tekirdagut ka konfirmuar nisjen e një procedure zyrtare për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo ndonjë rrethanë tjetër të dyshimtë.

Özer ishte dënuar me 11.196 vite burg nga Gjykata e Stambollit, pasi u shpall fajtor për mashtrim në masë përmes platformës së tij të tregtimit të kriptomonedhave. Ai akuzohej se kishte mashtruar rreth 391 mijë investitorë, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej mbi 2 miliardë dollarësh.

Skandali i Thodex-it kishte tronditur Turqinë dhe kishte çuar në një hetim të gjerë që përfshiu edhe familjarë të Özerit dhe drejtues të tjerë të kompanisë. Nga 83 persona të arrestuar, një pjesë u liruan më vonë për mungesë provash, ndërsa disa të tjerë u dënuan me burgime të gjata.

Özer u arrestua në Shqipëri në vitin 2022 dhe u ekstradua drejt Turqisë pas një procesi të gjatë gjyqësor.

faruk fatih Özer

Sondazh

Poll