Politike

"Ky parlament po firmos fundin e tij të turpshëm"/ Berisha: Shqiptarët duhet të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se raporti i ODIHR për zgjedhjet e 11 majit tregoi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme.

23 Tetor 2025, 13:03 Nga E.d
"Ky parlament po firmos fundin e tij të turpshëm"/ Berisha:
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se shqiptarët duhet të ngrihen në protesta për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se raporti i ODIHR për zgjedhjet e 11 majit tregoi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme.

Kryedemokrati akuzoi parlamentin i cili sipas tij, shkelmon ligjin dhe Kushtetutën, mbyll seancat plenare pa diskutime, refuzon interpelancat nga kryeministri dhe refuzon komisionet hetimore për kryeministrin. Në fund, Berisha shprehu mirënjohje ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët sipas tij nxorrën të vërtetën mbi zgjedhjet e 11 majit.

"Siç e shihni, shqiptarët bazuar në këtë raport, kanë detyrimin madhor të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju konstatoni që parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit është parlamenti më armiqësor ndaj shqiptarëve në historinë 32-vjeçare. Është parlamenti që miratoi qeverinë dhe programin e saj për 28 minuta. Është parlamenti që shkelmon ligjin dhe Kushtetutën për të mbyllur seancat pa diskutime.  Është parlamenti në të cilin refuzohen interpelancat nga kryeministri. Në të cilin refuzohen komisionet hetimore për kryeministrin. Është parlamenti që po firmos fundin e tij të turpshëm. Faktikisht vdekjen e tij. Rikthehuni pak në komisionet parlamentare se si drejtuesit socialistë të këtyre komisioneve qëndronin para Altin Troplinit dhe të tjerëve sikur të ishin mbushur plot nga frika.

Merreni dhe shiheni prapë se si për çdo fjalë kërkonin të përgjigjeshin vetë, të mos i linin ata të flisnin. Shihni sekuencat se flasin vetë ato. Absolutisht e them me dhimbje të madhe. E patë që nuk duan të lejojnë të pyeten? Shikoni çfarë.... po sigurisht se nga Peleshi e poshtë të gjithë kanë dosjet dhe parlamenti urdhëron Troplinin. Tani thonë jo deputetët nuk duan të bëjnë pyetje vetë, por t’i bëjnë me shkrim kur në çdo parlament të botës deputeti ngrihet dhe thotë kam këtë pyetje. Dhe është i detyruar të jetë korrekt me personin që e pyet. Këta thonë jo. Pse? Se ua dikton Troplini. Ua diktojnë ata. Nuk kisha parë ndonjëherë skena të tilla. Kurrë. Ajo është për film, për Netflix. Origjinal. Pra, unë përshëndes dhe shpreh mirënjohje ndaj vëzhguesve. Unë mirëkuptoj vështirësitë e tyre për publikimin, ndaj dhe u vonua raporti se u bënë përpjekje të mëdha për ta çuar në kalenda. Por jo, triumfoi e vërteta. Triumfoi arsyeja. Edi Rama donte me çdo kusht që raporti të mos publikohej. Por ja ku është raporti. E keni në ueb. Ka çdo fjalë dhe çdo presje që kishte raporti i parë, çka është një bazë e fuqishme shprese që shqiptarët të ecin drejt zgjedhjeve të lira. Le të bëjnë ç’të duan, asgjë nuk do ndalë përpjekjen tonë për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha pd edi rama

Sondazh

Poll