Aktualitet

Transferuan para nëpërmjet sistemit "Hawala" në Shqipëri, SPAK sekuestron pasuritë e Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt

Sipas SPAK sekuestrimet e pasurive dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale.

28 Korrik 2025, 15:50 Nga N.F
Transferuan para nëpërmjet sistemit "Hawala" në
Foto

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka sekuestruar pasuritë e Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt. Sipas SPAK sekuestrimet e pasurive dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale.

Mësohet se Ferizajt i është sekuestruar shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k,në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Gjithashtu është sekuestuar një pasuri e palujtshme një sipërfaqe totale 161.67 m2. SPAK shton se Ferizajt i është sekuestuar një “Vilë 2 Kate” në Lalëz dhe një shumë prej 77,160 frangash zvicerane. Sa i përket Kalbajt atij iu sekuestrua shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k.

Gjithashtu nga kontrollet e kryera në shoqërinë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe në banesa janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000. Ferizaj dhe Kalabaj janë vënë në pranga së bashku me Burim Ferizajn. Ata u arrestuan për transferimin nga Zvicra në Shqipëri të miliona eurove përmes sistemit “Hawala”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve E.F, B.F dhe P.K.

Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.442 datë 14.07.2024 ka vendosur:  Caktimin masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”  për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të shtetasit E.F, të mëposhtme:

1.1. Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me Nipt M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, si dhe gjitha asetet e kësaj shoqërie tregtare.

1.2. Pasuria e paluajtshme, nr.3/8-N6, zona kadastrale 8210, volumi 38, faqe 37, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe totale 161.67 m2, në emër të shtetasit E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.

1.3. Pasuria e paluajtshme “Vilë 2 Kate”, nr.169/77, zona kadastrale nr.2375, volumi 16, faqe 119, me sipërfaqe 162.85 m2 truall dhe sipërfaqe totale ndërtimi 140 m2, ndodhur ne Lalëz, Durrës, në emër të E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 19.12.2019 me çmimin e vendosur në kontratë prej 80,000 Eurosh.

1.4. Shuma monetare prej 77,160 frangash zvicerane.

2. Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”  për pasuritë e luajtshme në zotërim indirekt të shtetasit P.K, të mëposhtme: 

2.1. Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me Nipt L91307007H, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.

Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.

sistemi hawala

Sondazh

Poll