Politike

Afati i Kushtetueses për zgjidhjen e ngërçit politik/ Kurti: Asnjë nuk e di çfarë do të ndodhë pas 30 ditësh! Mosmarrëveshjet e grupeve parlamentare nuk zgjidhen në gjykata...

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën sot, as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.

21 Korrik 2025, 17:27 Nga r.ll
Afati i Kushtetueses për zgjidhjen e ngërçit politik/ Kurti:
albin kurti

KOSOVË- Kryeministri në detyre i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e sotme për mediat ka folur lidhur me ngërçin për konstituimin e Kuvendit dhe afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e krizës politike. 

Kurti u shpreh se ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të 30 ditëve të njoftuara nga Kushtetuesja, ndërsa shtoi se zgjidhja për mosmarrëveshjet politike nuk vjen nga gjykatat por nga tryezat politike.

“Kushtetuesja nuk ka thënë se çfarë ndodh pas këtyre 30 ditëve. Ajo ka thënë diçka që është e arsyes së shëndoshë – për mosmarrëveshjet politike të grupeve parlamentare nuk është adresë gjykata, por tryeza e partive. Ne nuk u morëm vesh dhe tash nuk e di se çfarë po ndodh pas 30 ditëve dhe nuk kemi marrë asnjë indikacion që ndokush prej atyre që tha ‘i keni 30 ditë’, e di se çfarë do të ndodhë në ditën e 31-të.”, tha Kurti për gazetarët.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën sot, as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës. Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.

Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.  Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë. Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

albin kurti

Sondazh

Poll