Politike

"Po përforcojmë mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike," Rama: Sektori privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm! Ja vlen të kemi një Këshill e të mblidhemi një herë në vit

Rama nga ana tjetër u shpreh se është i vetëdijshëm se ka boshllëqe teksa theksoi se kjo më së shumti shihet te sektori privat.

18 Korrik 2025, 10:49 Nga N.F
"Po përforcojmë mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike," Rama:
Rama

BERAT- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, dhe start up-eve u shpreh se sektori publik ka progres. Rama nga ana tjetër u shpreh se është i vetëdijshëm se ka boshllëqe teksa theksoi se kjo më së shumti shihet te sektori privat.

Ai tha se ky sektor nuk po ecën në të njëjtën ritëm me atë publik. Rama gjithashtu shtroi idenë e krijimit të një Këshilli ose Forumi ku sipas tij një herë në vit të mblidhen dhe të diskutojnë.

''Një pjesë e juaja janë të lidhur ngushtë me tregun dhe me aktorë domethënës në tregun ndërkombëtar, kjo do të thotë që janë të lidhur edhe me punën, produkte të cilat nëse janë të vlefshme dhe u shërbejnë situatave të administrimit publik jashtë Shqipërisë, nuk kanë arsye përse të mos shërbejnë dhe brenda Shqipërisë. Kemi nevojë për çdo gjë në këtë aspekt, dhe duke mos e njohur si duhet sektorin nga brenda i referohemi çfarë njohim dhe dimë nga vitrina globale e sektorit. Kemi të gjitha arsyet të besojmë që së bashku mund edhe të angazhohemi për produkte të dedikuara që nuk janë ekzistente, por që mund të krijohen bashkërisht.

Në vend se të shkojmë të paguajmë për produkte ekzistuese që vijnë nga jashtë. Në këtë aspekt, nuk duhet ta neglizhojmë në asnjë mënyrë çështjen e sovranitetit që është kthyer me shumë forcë në tryezën e diskutimit në të gjitha vendit, ku tendenca për tu pavarësuar nga shërbimet globale është gjithnjë e më fortë në funksion të mbrojtjes nga boshllëqet ku mund të penetrojnë aktorë me qëllime të këqija ndaj vendit përmes sulmeve kibernetike. 

Unë jam shumë krenar që kemi bërë progres. Kemi Cloud tonë në shërbimet tona digjitale, jemi të pavarur. Por jam i vetëdijshëm sa boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat. Ndërkohë që po forcojmë mbrojtjen tonë në sektorin publik, sektori privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Mund të kemi një ofertë për sektorin privat.

Ajo që do ju kërkoja, është që të jeni totalisht të hapur. Ne ju kemi ftuar që të na flisni shumë hapur. Ju e keni edhe lirinë të thoni atë që doni, që mendoni, nuk keni varësi nga ne. Mendoj që ia vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi 1 herë në vit, për të diskutuar mbi çështjen dhe mbi të rejat, qofshin për mirë, qofshin të keq," tha ai.

edi rama

Sondazh

Poll