Politike

Përplasja për mandatin/ Lapaj, letër KQZ-së: Lista e mbyllur dha dorëheqjen nga kandidimi, s’mund të kërkojnë tani "karrige"

Kërkesa bazohet në arsyetimin që kandidatët e listës së mbyllur në Qarkun Tiranë dhanë dorëheqjen më 11 maj, para procesit të votimit dhe numërimit të votave, dhe kjo dorëheqje, sipas tyre, është dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekziston.

17 Korrik 2025, 16:38 Nga M.B
Përplasja për mandatin/ Lapaj, letër KQZ-së: Lista e mbyllur
Adriatik Lapaj

TIRANA- Nisma “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt i është drejtuar me një letër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku i kërkon pavlefshmërinë e revokimeve të dorëheqjeve nga mandati i deputetit, të kandidatëve që ndodheshin në listën e mbyllur të koalicionit në Qarkun Tiranë.

Kërkesa bazohet në arsyetimin që kandidatët e listës së mbyllur në Qarkun Tiranë dhanë dorëheqjen më 11 maj, para procesit të votimit dhe numërimit të votave, dhe kjo dorëheqje, sipas tyre, është dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekziston.

Gjithashtu në shkresë thuhet që në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve.

“Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025....

Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”, thuhet ndër të tjera në shkresën e “Shqipëria Bëhet”.

adriatik lapaj

Sondazh

Poll