Aktualitet

"Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në Gjermani", Policia: Dy të shpallurit në kërkim, vëllezër të një prej autorëve të arrestuar! Ja akuzat që bien ndaj tyre

16 Korrik 2025, 11:54 Nga N.F
"Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në
Foto

TIRANË- Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka gjatë konferencës për mediat ka zbuluar detaje në lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit, Renis Dobra. Duka u shpreh se dy personat e shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen janë vëllezër të njërit prej autorëve të arrestuar.

Policia ka konfirmuar se deri më tani janë arrestuar dy persona ndërsa janë shoqëruar disa të tjerë për të zbardhur detaje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas policisë shkak dyshohet konflikti mes autorëve dhe viktimës për drogë në Gjermani. Viktima rezulton i dënuar në këtë vend për drogë.

"Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:

P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B.. Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre. Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).

Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit "C", pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.

Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.

23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve," tha policia.

vrasja e renis dobres

Sondazh

Poll