Politike

"Qeveria ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit"/ PL: Në Shqipëri, fermeri trajtohet si evazor dhe i panevojshëm

Përmes një deklarate ajo u shpreh se sekuestrimi i qumështit të papërpunuar nga fermerët, me pretendimin e mungesës së faturës tatimore, është vetëm simboli më i fundit i kësaj politike anti-produktive dhe antikombëtare.

15 Korrik 2025, 11:39 Nga E. D
"Qeveria ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit"/ PL:
Partia e Lirisë

TIRANË- Sekretarja e Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu ka deklaruar se qeveria shqiptare ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit shqiptar. Përmes një deklarate ajo u shpreh se sekuestrimi i qumështit të papërpunuar nga fermerët, me pretendimin e mungesës së faturës tatimore, është vetëm simboli më i fundit i kësaj politike anti-produktive dhe antikombëtare. PL thekson se në çdo vend të Bashkimit Europian, fermeri është partneri më i rëndësishëm i shtetit në garantimin e ushqimit për popullsinë.

Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.

Të nderuar qytetarë! Qeveria shqiptare ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit shqiptar, t’i vërë gjoba atij që prodhon, dhe ta bëjë mallin vendas më të shtrenjtë se ai i importuar. Sekuestrimi i qumështit të papërpunuar nga fermerët, me pretendimin e mungesës së faturës tatimore, është vetëm simboli më i fundit i kësaj politike anti-produktive dhe antikombëtare.

Në vend që shteti të ndërtojë infrastrukturën e munguar të grumbullimit, certifikimit, ftohjes dhe përpunimit, ai dërgon inspektorët për të gjobitur fshatarin. Në çdo vend të Bashkimit Europian, fermeri është partneri më i rëndësishëm i shtetit në garantimin e ushqimit për popullsinë. Në Shqipëri, fermeri trajtohet si evazor, si problem, si i panevojshëm. Kjo nuk është vetëm e padrejtë. Kjo është strategji që fermeri të braktisë fshatin dhe vendi të varet nga importi.

Të dhënat tregojnë qartë planin e qeverisë:
• Në vitin 2024, fondet për bujqësinë janë ulur me 9%, nga 15.6 miliardë lekë në 14.1 miliardë, dhe më tej në 13.4 miliardë lekë – një mesazh i qartë për indiferencën shtetërore.
• Shqipëria financon bujqësinë me vetëm 0.19% të PBB-së, ndonëse ky sektor mban mbi 19% të ekonomisë kombëtare.
• Nga ky buxhet, 55% shkon për paga dhe shpenzime operative të administratës, ndërsa vetëm një pjesë simbolike shkon për fermerin që prodhon. Shpesh ajo që paraqitet si buxhet për bujqësinë, më pas devijohet për financimin e inceneratorëve që nuk ekzistojnë, siç ishte rasti me IPARD-in.
• Importet agro-ushqimore janë rritur nga vit ne vit duke dëshmuar varësinë në rritje nga tregjet e huaja dhe braktisjen e prodhimit të brendshëm.
Kujt i shërben kjo politikë?
• Atyre që importojnë qumësht pluhur, vaj palme, perime të spërkatura me pesticide jashtë normave dhe mish të ngrirë nga tregje të dyshimta, pa kontroll real e me kosto të ulët.
• Atyre që kërkojnë që Shqipëria të jetë një treg konsumatorësh, jo një vend prodhuesish.
• Dhe një administrate që mban veten në këmbë duke ndëshkuar më të dobëtin – fermerin, jo oligarkun.
Ndërsa fermerët tanë:
• Falimentojnë për shkak të mungesës së tregut dhe çmimeve të padrejta,
• Mbajnë bageti me borxhe dhe sakrifica,
• Shesin qumështin nën kosto për të mbijetuar,
• Dhe në fund… përballen me sekuestrim dhe gjobë dhe jo institucione që i ndihmojnë dhe i orientojnë.

Partia e Lirise kërkon:

1. Ndalim të menjëhershëm të sekuestrimeve të produkteve vendase të freskëta, derisa të krijohet një sistem real dhe i drejtë për grumbullim dhe certifikim.
2. Rritje të buxhetit për bujqësinë në vitin 2025, për të garantuar mbështetje reale dhe jo thjesht propagandë.
3. Reduktimin e TVSH-së 20% në 5% mbi prodhimet bujqësore vendase – Shqipëria është i vetmi vend në Europë që aplikon këtë taksë absurde ndaj prodhimit vendas.
4. Ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe transparent subvencionesh, që përkrah ata që punojnë, jo ata që abuzojnë.
5. Kthimin e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore në prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar .
Shqipëria nuk mund të ndërtohet mbi beton dhe import.
Zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë, zhvillimi i zonave rurale , të agropërpunimit etj. janë garancia për t’u zhvilluar i gjithë territori i Shqipërisë, jo vetëm Tirana.
Bujqësia është një prioritet shumë i rëndësishëm , ndër 5 prioritetet tona, sepse nuk ka të bëjë vetëm me koston e jetesës, problemet me ushqimin por ka të bëjë me decentralizimin e popullsisë dhe me kthimin dhe riintegrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre.

partia e lirisë

Sondazh

Poll