Aktualitet

"Plumbi i artë"/ Dështon pas debateve seanca, shkak dorëheqja një avokati, GJKKO pezullon afatet e paraburgimit

Gjithashtu mësohet se edhe avokati i caktuar Shpëtim Kodhelaj ka hequr dorë dhe se arsyeja ka qenë se është proces i gjatë dhe nuk marrin pagesat për të vijuar, pasi janë të angazhuar me gjyqe të tjera.

8 Korrik 2025, 12:27 Nga M.B

 

"Plumbi i artë"/ Dështon pas debateve seanca, shkak
Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

TIRANA- Ka dështuar seanca gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” teksa mësohet se avokat Gent Rumano ka hequr dorë për mbrojtjen e të pandehurit Henrik Hoxha. Gjithashtu mësohet se edhe avokati i caktuar Shpëtim Kodhelaj ka hequr dorë dhe se arsyeja ka qenë se është proces i gjatë dhe nuk marrin pagesat për të vijuar, pasi janë të angazhuar me gjyqe të tjera.

Bëhet me dije se të pranishëm kanë qënë bashkëpunëtorët dhe të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani, Skerdi Tase si dhe Erion Alibej. Hoxha vijoi të bënte kërkesën për një avokat tjetër ndërsa Prokurori Behar Dibra vuri në dukje përpjekjet për zvarritje.

Prokurori i tha GJKKO-së që të pezulloheshin afatet e paraburgimit. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën dhe vendosi të shtyjë seancën e sotme dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për të pandehurit. Ndërkohë, seanca e radhës është vendosur për në datën 10 korrik, ora 10:00.

Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro. Erjon Alibej gjithashtu është bashkëpunëtor i drejtësisë.

plumbi i arte

Sondazh

Poll