Aktualitet

"Kapanonet i kam ndërtuar vetë me lekë borxh", zbardhet dëshmia e "pronares" së kabinave në Theth: Nuk kam dokumente po pronën e kam të trashëguar brez pas brezi

Prroni është shprehur në Prokurorinë e Shkodrës se kabinat i ka ndërtuar vetë me para borxh nga të afërmit, ndërsa ka deklaruar se kabinat i ka ngritur pa leje sepse objektet janë pa themele dhe pa betone.

7 Korrik 2025, 20:22 Nga r.ll
"Kapanonet i kam ndërtuar vetë me lekë borxh", zbardhet
pamje nga zona ku jane kabinat

SHKODËR- Gazetarja Anila Hoxha ka ndarë në rrjetet sociale, dëshminë e të moshuarës Lene Prroni, e cila raportohet se është pronare e tokës ku ishin kabinat e pushimit në fshatin Theth që u shembën sot nga një aksion i IKMT-së.

Prroni është shprehur në Prokurorinë e Shkodrës se kabinat i ka ndërtuar vetë me para borxh nga të afërmit, ndërsa ka deklaruar se kabinat i ka ngritur pa leje sepse objektet janë pa themele dhe pa betone. Ajo është shprehur gjithashtu se nuk ka dokumente pronësie, por truallin e ka të trashëguar brez pas brezi. 

"Kapanonet e gjetura janë të vendosura ne pronën time, është një pronë që e kam të trashëguar nga paraardhësit e mi. Deklaroj se jam interesuar pranë Bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por më thanë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh. Dhe unë nuk kam dokumente pronësie, por e kam të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu deklaroj se në dijeninë time, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i kam marrë borxh, tek të afërmit e mi, për të ndërtuar këta kapanone. Kam patur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qenë se nuk kisha çoban për t'u kujdesur për to, i shita të gjitha,"-raportohet se ka thënë ajo.

Kabinat në fjalë janë në pronësi të shtetasit, Prekë Kodra.  Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për shkak së është një person i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen "Metamorfoza". Ai akuzohet nga SPAK për një disa ngjarje kriminale. Gjithashtu bëhet me dije se Kodra është personi që katër vite më parë kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe dy politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Në fshatin turistik në veri të vendit, Prekë Kodra kishte ngritur "Vilat e Shqiponjave në Theth", 10 kabina të ndërtuara mbi struktura betoni në një zonë që është e mbrojtur nga shteti.

Këto kabina u hoqën ditën e sotme nga një aksion i IKMT-së me urdhër të kryeministrit Rama. Lidhur me këtë çështje, Rama ka sulmuar prokuroren Elsa Gjeli. Sipas tij, kjo e fundit ka refuzuar të hapë çështjen dhe ka injoruar denoncimin e Policisë së Shtetit lidhur me këtë ndërtim. Në postimin e tij në Facebook për rastin pak orë më parë, kreu i qeverisë shprehej se është lejuar një ndërtim në zemër të Thethit në shkelje totale të ligjit, por sipas tij, Prokurorja Gjeli ka dalë me vendim se nuk ka vepër penale.  Rama theksoi se këtë çështje do ta përciellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që shtoi se kjo prokurore është e padenjë për tu paguar si e tillë

lene prroni kabinat ne theth

Sondazh

Poll