Aktualitet

Vendimi për Manastirin e Shenjtë të Sinait/ Sinodi i Shenjtë, thirrje për mbrojtjen e statusit: I lutemi Perëndisë që të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe urtësia

Përmes një deklarate Sinodi i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për tu përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të Manastirit të Shenjtë të Sinait.

7 Korrik 2025, 15:06 Nga E. D
Vendimi për Manastirin e Shenjtë të Sinait/ Sinodi i
foto ilustruese

TIRANË- Sinodi i Shenjtë ka reaguar pas një vendimi të gjykatës egjiptiane në lidhje me dëbimin e murgjve dhe sekuestrimin e pronës së Manastirit të Shenjtë të Sinait. Përmes një deklarate Sinodi i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për tu përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të Manastirit të Shenjtë të Sinait.

Sinodi i Shenjtë thekson gjithashtu se Manastiri historik i Malit të Shenjtë të Sinait përbën një thesar të paçmuar të trashëgimisë kulturore dhe spiritualitetit orthodhoks dhe botëror, duke i dhënë kishës një përvojë të pasur shpirtërore.

Deklaratë për Manastirin e Shenjtë të Sinait

Manastiri historik i Malit të Shenjtë të Sinait përbën një thesar të paçmuar të trashëgimisë kulturore dhe spiritualitetit orthodhoks dhe botëror, duke i dhënë Kishës një përvojë të pasur shpirtërore. Aty janë ruajtur për shekuj me radhë dorëshkrime dhe kodikë të çmuar, përfshirë edhe Codex Sinaiticus të famshëm.

Prania e murgjve orthodhoksë në Manastir është respektuar nga të gjitha pushtetet ndër shekuj, duke u bërë një simbol i bashkëekzistencës ndërmjet krishterimit dhe islamit. Shpërndarja e vëllazërisë ose kthimi i Manastirit në muzé në rast të ndryshimit të pronësisë do të ishte shkatërruese me pasoja të pallogaritshme.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Vëllazërinë e Manastirit dhe Hirësinë e tij, Kryepiskopin e Sinait, z. Damian, në këtë provë të vështirë. Gjithashtu u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për t’u përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të tij të shenjtë.

I lutemi Perëndisë që të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe urtësia.

Nga Sinodi i Shenjtë

sinodi i shenjtë

Sondazh

Poll