Aktualitet

Tregu postar u rrit me 11% vitin e kaluar

Tregu i shërbimeve postare vazhdon të kryesohet nga Posta Shqiptare, por pjesa e tregut e kompanisë shtetërore pësoi rënie nga niveli prej 55% i një viti më parë.

20 Maj 2025, 14:46 Nga N.F
Tregu postar u rrit me 11% vitin e kaluar
Foto

TIRANË- Tregu i shërbimeve postare u rrit vitin e kaluar, duke arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ofruesit e shërbimeve postare vitin e kaluar raportuan të ardhurave në vlerën e rreth 2.76 miliardë lekëve, në rritje me 11% në raport me vitin 2023.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i ofruesve të shërbimeve postare ka zbritur në 23, nga 24 që kishte qenë një vit më parë. Tregu i shërbimeve postare vazhdon të kryesohet nga Posta Shqiptare, por pjesa e tregut e kompanisë shtetërore pësoi rënie nga niveli prej 55% i një viti më parë. Pjesa e tregut të Postës Shqiptare vlerësohet të ketë arritur nivelet minimale historike.

Posta Shqiptare vitin e kaluar raportoi të ardhura në vlerën e afërsisht 1.4 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 0.9% krahasuar me një vit më parë. Pjesa dërrmuese e të ardhurave të Postës Shqiptare, rreth 84% e totalit, vijnë nga Shërbimi Universal. Sipas AKEP, Posta Shqiptare është operatori i vetëm që plotëson kriteret për të qenë operator i shërbimit universal (detyrimi për ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar në rregulloren e miratuar nga AKEP dhe me çmime të përballueshme në të gjitha pikat e aksesit).

Autorizimi i radhës individual pesëvjeçar i Postës Shqiptare përfundon në korrik të këtij vitit. Në përfundim të analizës së re të tregut, AKEP do të vlerësojë nëse ekzistojnë operatorë të tjerë që plotësojnë kushtet për të ofruar këtë shërbim apo ky detyrim do të vazhdojë të ekzistojë vetëm për Postën Shqiptare.

Për sa i takon shërbimit jo-universal dhe ekspres postar, tregu dominohet nga operatorët e tjerë dhe pjesa e Postës Shqiptare paraqitet në rënie. Operatorët e tjerë, të marrë së bashku, zotërojnë rreth 49% të të ardhurave të tregut. Mes operatorëve të tjerë, për vitin 2024 kryesonte DHL, me 16% të të ardhurave totale të tregut të shërbimeve postare, e ndjekur nga United Transport, me 8% dhe Albanian Delivery Express (ADEX), me 7%. Operatorët e tjerë, të marrë së bashku, vlerësohet se zotërojnë së bashku rreth 18% të tregut të shërbimeve postare.

Sipas AKEP, vlera totale e investimeve të operatorëve postarë për 2024 arriti në 399 milionë lekë, me një rritje prej 6% krahasuar me një vit më parë. Rreth 46% të investimeve të vitit të kaluar u realizuan nga Posta Shqiptare, ndërsa pjesa tjetër nga operatorët privatë. Në fund të vitit 2024, sektori postar punësonte rreth 3.300 punonjës. Krahasuar me një vit më parë, numri i të punësuarve është rritur me 4.3%. / Monitor

tregu postar

Sondazh

Poll