Aktualitet

28 vite nga tragjedia e Otrantos, familjarët e viktimave kujtojnë humbjen e të afërmve: Drejtësia ka munguar/ Ish ushtaraku akuzon italianët: I trajtuan si armiq (VIDEO)

Dhimbja e famijarëve vazhdon dhe kërkesa për drejtësi ka munguar nga shteti shqiptar

28 Mars 2025, 19:12 Nga A.Ll

28 vite nga tragjedia e Otrantos, familjarët e viktimave kujtojnë

VLORË - Në 28 mars të vitit 1997, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së emigracionit shqiptar u shënua me humbjen e 83 jetëve, kur anija “Kateri i Radës” u godit nga anija italiane Sibila pranë brigjeve të Otrantos.

Sot, 28 vjet më pas, familjarët e viktimave ende vazhdojnë të mbajnë zemrat të ngujuara në atë tragjedi, duke vendosur kurora dhe buqeta me lule për të kujtuar të dashurve të humbur. Ata kërkojnë që kjo ngjarje të marrë vëmendjen e merituar dhe të kujtohet në mënyrën e duhur, përmes një ceremonie që do të nderonte ata që vdiqën në kërkim të një jete më të mirë.

Viktimat e kësaj tragjedie, shumica e të cilëve ishin të rinj dhe fëmijë, u larguan nga brigjet e Shqipërisë në kërkim të një jete më të sigurt dhe për një të ardhme më të ndritur. Por, përballë shpresës, ata gjetën vdekjen tragjike në det.

Ish-ushtaraku Dionis Andoni ka reaguar ashpër, duke akuzuar ushtarakët italianë për mosdhwnien e ndihmës, duke e konsideruar këtë si një krim, pasi ata kishin mundësinë të shpëtonin jetët e pafajshme, por përkundrazi i bllokuan ata.

Sipas Andonit, ushtarët italianë kishin shkelur ligjet ndërkombëtare duke mos ndihmuar emigrantët dhe duke lejuar mbytjen e anijes.

Ai gjithashtu shpreh zhgënjimin e tij ndaj qeverisë shqiptare, e cila, sipas tij, e ka trajtuar këtë çështje me indiferencë dhe nuk ka kërkuar asnjë dëmshpërblim moral për familjarët e viktimave.

Tragjedia e Otrantos, me anijen që kishte 142 persona në bord dhe vetëm 21 metra gjatësi, ka lënë plagë të hapura dhe kërkesa për drejtësi vazhdon të mbetet një çështje e papërfunduar për shumë familje që ende nuk kanë arritur të mbyllin këtë kapitull të dhimbshëm të historisë.

Siç thekson Andoni, emigrantët që po largoheshin nga Shqipëria për të shpëtuar nga kaosi, u trajtuan si armiq dhe, në vend që të shpëtoheshin, ata u goditën për të mbytur. Kjo ngjarje e tmerrshme vazhdon të shënojë një nga momentet më të errëta të historisë së emigracionit shqiptar dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur që kërkon kujdes dhe drejtësi.

 

“kateri i radës” anija italiane sibila tragjedia e otrantos 28 mars të vitit 1997

Sondazh

Poll