Aktualitet

Skandali me mishin e pulës me salmonelë, Panariti: Futja e këtij produkti në treg është shkelje shumë e rëndë, janë hapur hetime por dëmi është bërë

Ish-ministri tha se cilido që të jetë rezultati i procesit hetimor tashmë të nisur, dëmi i madh tani është bërë.

28 Mars 2025, 16:45 Nga r.ll
Skandali me mishin e pulës me salmonelë, Panariti: Futja e këtij
foto ilustruese

TIRANË- Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka folur sot lidhur me skandalin e mishit të pulës me salmonelë që është futur në vendin tonë nga Brazili. Panariti tha se ky produkt duhet të ishte bllokuar deri në bërjen e analizave. Ai e cilësoi shkelje shumë të rëndë futjen e këtij mishi në treg për konsumatoriun. 

I ftuar në Syri Tv, ish-ministri tha se cilido që të jetë rezultati i procesit hetimor tashmë të nisur, dëmi i madh tani është bërë. Sipas tij, sasia më e madhe e këtij mishi të hedhur për shitje mund të jetë konsumuar.  E njëjta gjë sipas tij ndodhi edhe me mandarinat me pesticide, të cilat në vend të asgjësoheshin u hodhën gjithashtu në treg për konsum.

"Konstatimi i mishit të pulës me salmonelë është një gjë shumë e rëndë dhe meriton vëmendje të posaçme. Për fat të mirë Insitutiti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë zbuloi në metodat e tij analitike prezencën e salmonelës së rrezikshme, e cila nuk është vetëm te mishi i shpendëve por është e kudondodhur. Pra goxha e përhapur. Pra kjo bën dhe më të origjinën e ndotjes së mishit të shpendëve të ardhur nga Brazili. Le ti kthehemi rastit aktual.

Ky mish duhej të ishte bllokuar që në anijen që e kishte transportuar, në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhte zhdoganimi i tij. Ka ndodhur një shkelje e rëndë, penetrimi i këtij mishi të ndotur në treg pavarësisht se ISUV, ka depozituar që me 21 mars një fletë analizë, ku konstatohej ndotja serioze e filetove të pulës të ngrirë dhe të importuar nga Brazili. 

Është hapur një proces hetimor por dëmi tashmë është bërë. Duhet të përqendrohemi se përse u thyen kriteret ligjore dhe proceduriale. Analizat mund të bëhen dhe më vonë por mishi duhet bllokuar deri sa të bëhen analizat. Pavarësisht se AKU mendon se ka sekuestruar një sasi, unë mendoj se sasia më e madhe është shitur dhe fatkeqësisht është konsumuar. Kjo është e rëndë edhe për cënimin e sigurisë ushqimore dhe sigurisë kombëtare. Në rast se mishi piqet apo zihet sa duhet, mbi temperaturën 60 gradë, salmonela asgjësohet. Por edhe një sasi e vogël e salmonelës, e bën njësoj të rrezikshëm sikur mishin ta kesh konsumuar të pagatuar. 

Pavarësisht si do jetë fati i hetimeve, dëmi është bërë. E njëjta gjë ndodhi edhe me mandarinat. Pavarësisht se duhet të ishin asgjësuar, ato u hodhën në treg. E njëjta gjë ndodhi dhe me mishin e pulës. Shpresoj shumë mos të kemi dëme të rënda te konsumatori.", u shpreh ndër të tjera Panariti. 

edmond panariti mishi i pules me salmonele

Sondazh

Poll