Politike

"Lufta e egër që Soros i ka bërë PD"/ Paloka: Synohej eleminimi total duke u goditur Partia Demokratike dhe Berisha

Paloka i ftuar në emisionin e pasdites në SYRI TV, vuri theksin te fushata globale për të ndaluar rikthimin e Donald Trump-it në presidencë dhe ndikimin e saj në Shqipëri.

18 Dhjetor 2024, 17:51 Nga E. D
"Lufta e egër që Soros i ka bërë PD"/ Paloka:
Edi Paloka

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka folur për sfidat e PD-së dhe ndikimin ndërkombëtar në politikën shqiptare. Paloka i ftuar në emisionin e pasdites në SYRI TV, vuri theksin te fushata globale për të ndaluar rikthimin e Donald Trump-it në presidencë dhe ndikimin e saj në Shqipëri. Gjithashtu ai tha se George Soros dhe grupi i tij kanë qenë protagonistë në goditjen e së djathtës, duke synuar eliminimin e Partisë Demokratike.

Sipas tij fitorja e Trump-it, ka forcuar pozitat e PD-së dhe ka mundësuar rivendosjen e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Më tej Paloka theksoi se qeveria shqiptare dhe grupet e Sorosit kanë nxitur sulme kundër opozitës, por tashmë kjo është reflektuar edhe në tre rezoluta ndërkombëtare që dënojnë situatën në vend. Ai përfundoi duke nënvizuar se PD-ja do të vazhdojë të luftojë për qeverinë teknike dhe zgjedhje të ndershme.

"Lufta që u bë për të mos lejuar rikthimin e Trump-it në presidencë dështoi. Armiku kryesor i presidentit Trump, siç dihet tashmë publikisht, ka qenë i njëjti armik i konservatorëve dhe i të djathtës në mbarë botën. Në mënyrë të veçantë, ky armik ka ndikuar edhe në Shqipëri. Ne jemi ata që kemi pësuar drejtpërdrejt pasojat e një lufte të ashpër që George Soros dhe grupi i tij i kanë bërë Partisë Demokratike. Kjo luftë është pasqyruar si në goditjet ndaj Sali Berishës, si lider i saj, ashtu edhe në sulme të tjera e intriga që i janë bërë kësaj partie, me synimin për eliminimin e saj të plotë, gjë që, për fat të mirë, nuk u realizua.

Fitorja e presidentit Trump dhe rimarrja e flamurit dhe simboleve të Partisë Demokratike nga ne na dha frymëmarrje. Gjatë kësaj kohe, siç e dini, kemi rikthyer marrëdhëniet me partnerët tanë. Për vite të tëra, nuk kishim mundësi, kohë apo hapësirë për të komunikuar me partnerët, gjë që solli indiferencë dhe madje sulme të shpeshta të nxitura dhe sponsorizuara nga qeveria shqiptare dhe grupet e lidhura me Sorosin.

Fitorja e Trump-it, rikthimi ynë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe informimi i saktë për situatën në Shqipëri sollën një ndryshim të rëndësishëm. Rezultatet janë përkthyer në tre rezoluta të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë, të cilat përfaqësojnë partitë që sot udhëheqin botën. Këto përfshijnë Partinë Republikane në SHBA, që është pjesë e IDU-së, deri te partitë popullore në Evropë, të cilat përbëjnë shumicën e qeverive të kontinentit.

Këto tre rezoluta kanë dënuar në mënyrë të ashpër dhe kanë pasqyruar realitetin e situatës në Shqipëri, si në zgjedhje, ashtu edhe në korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë aktuale me krimin. Gjithçka që ne kemi përsëritur ndër vite është tashmë pjesë e axhendës ndërkombëtare. IDU-ja ka shkuar përtej dhe ka mbështetur kërkesën tonë për një qeveri teknike, si një mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen.

Kjo situatë e re, e favorshme për ne dhe disi e papritur për shumë prej nesh, u diskutua në Këshillin Kombëtar. Strategjia jonë mbetet e njëjtë: të punojmë paralelisht për ngritjen dhe fuqizimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe përgatitjen për fushatën zgjedhore. Njëkohësisht, do të vazhdojmë me mosbindjen civile, si e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë qeveri dhe për të kërkuar me këmbëngulje pikën tonë kryesore – qeverinë teknike  e cila tashmë është përfshirë edhe në rezolutën e IDU-së, organizata më e fuqishme ndërkombëtare," tha Paloka. 

edi paloka

Sondazh

Poll