Politike

Pse e përjashtoi Rama-Veliajn nga Teatri i Kukullave

Por ajo që u vu re në këtë ceremoni ishte mungesa e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili ka dhe nën varësi godinën e teatrit të Kukullave. Veliaj ka marrë pjesë në çdo inagurim të objekteve në Tiranë, por jo këtë herë. Bashkia Tiranë duhet që të ishte organizatori i kësaj ceremonie, por Veliaj ishte mënjanuar fare nga hapja e Teatrit.

16 Dhjetor 2024, 13:42 Nga I.A
Pse e përjashtoi Rama-Veliajn nga Teatri i Kukullave
Erion Veliaj dhe Edi Rama

TIRANË- Inagurimi i Teatrit të Kukullave ditën e sotme pas rikonstruksionit bëri bashkë disa figura politike në vend si dhe të dërguar të organizatave e delegacionit evropian në Tiranë. Duke nisur nga kryeministri Edi Rama te Ministri i Inovacionit dhe Kulturës Blendi Gonxhja dhe i dërguari evropian Silvio Gonzato, të gjithë mbajtën fjalën në ceremoninë e hapjes së teatrit për fëmijë.

Por ajo që u vu re në këtë ceremoni ishte mungesa e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili ka dhe nën varësi godinën e teatrit të Kukullave. Veliaj ka marrë pjesë në çdo inagurim të objekteve në Tiranë, por jo këtë herë. Bashkia Tiranë duhet që të ishte organizatori i kësaj ceremonie, por Veliaj ishte mënjanuar fare nga hapja e Teatrit.

Jo më pak se një vit më parë, ka qenë vetë kryeministri Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj në inagurimin e punimeve për Teatrin e ri të Kukullave, që po ndërtohet të Liqeni Artificial. Jo vetëm kaq, por Veliaj në fjalën që mbajti në ceremoninë, theksoi se kjo ishte një punë shumë serioze.  

Ndërsa në ceremoninë e sotme, jo vetëm fjalim që nuk kishte, por as prania e Veliajt nuk u duk askund. Prej kohësh është vënë re distanca e Ramës dhe Veliajt, e cila është finalizuar në muajin maj të këtij viti, kur ndodhi dhe dekorimi i Ali Ahmetit nga Bashkia Tiranë. Mes tyre u pa një ftohje e marrëdhënieve, pasi dhe në foton e publikuar nga Rama në Facebook, Veliaj ishte hequr. 

Veliaj kohët e fundit po përballet me skandale të shumta në Bashkinë që drejton prej 10 vitesh. Ndaj tij ka çështje të hapura në SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, për dosjen 5D si dhe një hetim pasurie. Vetëm disa ditë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan një kontroll në banesën e tij, sekuestruan celularin e bashkëshortës së Veliajt, Ajola Xoxa si dhe kotrolluan bizneset e kësaj të fundit./Dosja.al

erion veliaj edi rama teatri kombetar i kukullave

Sondazh

Poll