Politike

Lufta kundër informalitetit, Ibrahimaj: Zvogëlohet nëpërmjet uljes së përdorimit të parave cash, po nxisim pagesat elektronike

Ibrahimaj u shpreh se po nxiten pagesat elektronike, ndërsa shtoi se lidhur me këtë mënyrë pagese po planifikohet edhe një bashkëpunim me bankat. 

14 Dhjetor 2024, 18:31 Nga r.ll
Lufta kundër informalitetit, Ibrahimaj: Zvogëlohet nëpërmjet
delina ibrahimaj

TIRANË- Ministrja Delina Ibrahimaj, theksoi edhe luftën ndaj informalitetit në biznes, ku u shpreh se pjesë e kësaj lufte, është ulja e përdorimit të parasë cash.

E ftuar në emisionin "Kjo Javë" në News24, Ibrahimaj u shpreh se po nxiten pagesat elektronike, ndërsa shtoi se lidhur me këtë mënyrë pagese po planifikohet edhe një bashkëpunim me bankat. 

“Ekonomia informale ndër vite ka ardhur duke u reduktuar, megjithatë mbetet një sfidë për tu përballur. Plani për reduktimin e informalitetin, që është i lidhur me pensionet, po funksionon. Jemi duke nxitur pagesat elektronike, pasi informaliteti ulet nëpërmjet uljes së përdorimit të parave cash. Po planifikojmë në bashkëpunim me bankat, një plan masash që të rritet përdorimi i mjeteve elektronike për pagesat. Reforma e inspektimeve është një reformë kryesore që biznesi ka nevojë, kjo është gjurma kryesore që unë do të lë, të gjitha janë të rëndësishme, por kjo mendoj që është pak më shumë”, tha ajo.

Sipas Ibrahimaj, klima e biznesit në vend momentalisht është pozitive, pasi edhe ekonomia është në rritje, duke nënvizuar gjithashtu se ka vend edhe për përmirësim.

“Klima e biznesit është shifra dhe perceptim. Ekonomia po rritet me shifra të larta në krahasim me rajonin dhe më gjerë, në Europë. Në shifrat e fundit të INSTAT rritja është 4.06 përqind, pra kemi një nivel rritje mbi potencialin që ka vendi, pra ekonomia po performon mirë. Mendoj që klima e biznesit sa kohë që ekonomia shkon mirë, është pozitive. Natyrisht ka vend për përmirësim”, tha ajo.

delina ibrahimaj

Sondazh

Poll