Sport

Real Madridi dhuron një milion euro për viktimat e motit të keq në Spanjë

Tragjedia ka prekur, mbi të gjitha, komunitetin e Valencias

1 Nëntor 2024, 08:00 Nga DOSJA

Real Madridi dhuron një milion euro për viktimat e motit të keq

SPANJE - Real Madridi njoftoi dje dhurimin e një milion eurosh për të ndihmuar viktimat e motit të keq që ka prekur Spanjën, veçanërisht komunitetin Valencias, dhe që tashmë ka rezultuar në më shumë se 150 të vdekur.

Fondacioni Real Madrid iu bashkua Kryqit të Kuq në nisjen e një fushate për mbledhjen e fondeve për të mbështetur të prekurit nga stuhia dhe në kuadër të kësaj nisme merengët dhuruan një milion euro.

Real Madridi do të "ndihmojë familjet e shumta që janë në një situatë kritike dhe kanë nevojë për të gjithë ndihmën dhe solidaritetin,"- deklaruan në klubin ‘los blancos’ të kryqytetit.

Numri i përkohshëm i të vdekurve nga përmbytjet që shkatërruan Spanjën juglindore, u rrit mbrëmë në 158, 155 prej të cilëve ishin në Valencia, sipas një deklarate zyrtare nga shërbimet e urgjencës të publikuar në rrjetin social X.

Numri i njerëzve të zhdukur nga një "depresion i izoluar në nivele të larta" është ende i panjohur, një fenomen meteorologjik i njohur si DANA, i cili shkaktoi shira të rrëmbyeshëm dhe incidente në disa pjesë të Spanjës, veçanërisht në bregdetin e Mesdheut.

Kjo është një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda në 75 vitet e fundit në Spanjë, duke tejkaluar përmbytjet e Biescas (Huesca) në 1996 me 87 vdekje, dhe përmbytjet e Turias në 1957, në të cilat vdiqën nga 80 deri në 100 njerëz.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll