Aktualitet

Policia e Shtetit trashëgimtare e Kinostudio “Shqipëria e Re”, prodhon filma aksion falas dhe i ndan në rrjete sociale

Rasti i Vlorës i sipërpërmendur, duket si "deja vu" e një rasti në Sarandë më 22 prill të këtij viti, ku në videon e policisë shihej si efektivët dolën me vrap nga makina për të kapur shpërndarësin e lëndëve narkotike.

20 Korrik 2024, 14:58 Nga r.ll
Policia e Shtetit trashëgimtare e Kinostudio “Shqipëria e
foto ilustruese

TIRANË- Policia e Shtetit arrestimet e kryera gjatë ditës, bashkangjitur njoftimit me detaje, i shoqëron edhe me pamje filmike.  Videot të cilat tregojnë shpeshherë aksionet e policisë duke ndaluar ose vënë prangat shkelësve të ligjit, nuk kalojnë pa u ndarë edhe në llogarinë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. 

Por një denoncim i publikuar sot në Facebook nga "Disidentët", i jep kredite policisë, përveç se si zbatues të ligjit, edhe si regjizorë. E vërteta e videos së arrestimit të një 30-vjeçari në Vlorë duket se qëndron ndryshe, nga ajo çfarë ka treguar policia. Të paktën kështu është shprehur një dëshmitare okulare e ndalimit të të riut nga shërbimet policore.   Në denoncimin e saj dëshmitarja thotë se filmimet e policisë janë të realizuara me regji. Ndërsa arrestimi në Vlorë, sipas saj është një provë e pastër e këtij fakti.

Ajo tregon se policia e ndaloi fillimisht djalin për kontroll dhe e ka mbajtur derisa kanë ardhur fugoni me policë dhe motori i Shqiponjave. Më pas sipas saj, i kanë thënë të ikë. Pasi djali është nisur për në lagje, policia e ka ndjekur dhe ka filmuar videon e arrestimit të tij. Pas denoncimit këtij episodi me policinë, qytetja ngre pyetjet: Pse mundoheni kaq shumë? Apo ka filluar u vjen mirë kur ua shpërndan videot Taulant Balla?

Rasti i Vlorës i sipërpërmendur, duket si "deja vu" e një rasti në Sarandë më 22 prill të këtij viti, ku në videon e policisë shihej si efektivët dolën me vrap nga makina për të kapur shpërndarësin e lëndëve narkotike. Sipas njoftimit thuhej se ky person kishte precedent kriminal në fushën e narkotikëve. Por asokohe avokati Arben Llangozi ka denoncuar se video ka qenë e sajuar dhe se video e shpërndarë nga Policia nuk tregonte momentin e arrestimit të 35-vjeçarit A.S. Sipas tij personi që shfaqet në video si shpërndarësi është një agjent policie.

“O Policia e Sarandës mos gënje qytetarët.” tha avokati në video. “Kjo është një video fake, Policia ka bërë show për të bindur qytetarët se po punojnë për të luftuar krimin.” 

“Ju lutem zoti Kalluci që jeni shefi i AMP-së merrni masa dhe kontrolloni këtë video. Unë do marr masat e mia në cilësinë e qytetarit të Republikës së Shqipërisë” përmbyll avokati deklaratën në videon e tij. 

policia e shtetit

Sondazh

Poll