Bota

SHBA-ja bën thirrje për të votuar rezolutën e paraqitur në OKB për një armëpushim të përhershëm në Gazë

Bëhet e ditur se koha e votimit nuk është e qartë. Por, dihet se rezoluta përshkruan tre faza për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.

10 Qershor 2024, 19:33 Nga E. D
SHBA-ja bën thirrje për të votuar rezolutën e paraqitur
foto ilustruese

GAZA- SHBA-ja ka bërë thirrje për të votuar rezolutën e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KSOKB) që mbështet propozimin për një armëpushim të përhershëm dhe lirimin e pengjeve në Gazë.

“Izraeli e ka pranuar këtë propozim dhe Këshilli i Sigurimit ka një mundësi të flasë me një zë dhe t’i bëjë thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë. Të bësh këtë do të ndihmonte në shpëtimin e jetëve dhe vuajtjeve të civilëve në Gazë, si dhe të pengjeve dhe familjeve të tyre," tha në një deklaratë Nate Evans, zëdhënësi i Misionit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Bëhet e ditur se koha e votimit nuk është e qartë. Por, dihet se rezoluta përshkruan tre faza për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez. Siç raportohet, faza e parë përfshin një armëpushim të plotë dhe fillimin e lirimit të pengjeve. Faza e dytë do të shihte një fund të përhershëm të armiqësive në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve dhe tërheqje të forcave izraelite nga Gaza. Si dhe faza e tretë, për fillimin e rindërtimit të Gazës.

Ndryshe, propozimi refuzon çdo përpjekje për ndryshim demografik e territorial në Gazë, duke përfshirë veprime që reduktojnë territorin palestinez, të tilla si krijimi i zonave sanitare. Gjithashtu, ai përsërit angazhimin për të arritur një zgjidhje me dy shtete.

Sondazh

Poll