Bota

Zgjedhjet Evropiane 2024/ Greqia hedh votën e saj sot, Mitsotakis: Është e rëndësishme të kemi një zë të fortë grek në PE

Votimi ka nisur në 7 të mëngjesit dhe përfundon në 7 të pasdites, ndërsa Ministria e Brendshme ju rikujton qytetarëve se mund të votojnë me kartë identiteti, pasaportë, lejen e qarkullimit, ose me librezën e sigurimeve shëndetësore si mjet identifikimi, ndërsa pranohet edhe karta dixhitale e identitetit.

9 Qershor 2024, 13:39 Nga r.ll
Zgjedhjet Evropiane 2024/ Greqia hedh votën e saj sot, Mitsotakis:
foto ilustruese

GREQI- Ditën e sotme në Greqi, qytetarët janë drejtuar drejt kutive të votimit për zgjedhjet e kandidatëve për deputetë në Parlamentin Europian si pjesë e procesit zgjedhor në shtetet anëtare të BE që përfundon sot. Në garën e Greqisë marrin pjesë 31 parti, ndërsa 21 mandatet nga gjithsej 720 që i takon vendit në Parlamentin Europian pretendohen nga 1168 kandidatë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bashkë me bashkëshorten e tij kanë hedhur votën gjatë paradites, ndërsa ka deklaruar se duhet të votojmë  për një Greqi dhe Europë të fuqishme.

"Zgjedhjet evropiane kanë rëndësinë e tyre të veçantë, në pesë vitet e ardhshme do të merren vendime shumë të rëndësishme në Evropë. Është tepër e rëndësishme të kemi një zë të fortë grek, një përfaqësim të fortë në Parlamentin Evropian, në mënyrë që si Greqi të mund të pretendojmë sa të mundemi nga Evropa.”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Nga ana e tij lideri i partisë opozitare Syriza, Stefanos Kasselakis u ka bërë thirrje gjithë grekëve të votojnë.

“Sot është festë e demokracisë, zgjedhim se çfarë lloj Evrope duam të kemi. Evropa ka një ndikim të madh në jetën tonë, ndaj pjesëmarrja është e nevojshme për të gjithë ne. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve tanë që të japin 30 minuta ose më pak nga koha e tyre për të ardhur të votojnë dhe për të marrë jetën e tyre në duart e tyre”, tha Stefanos Kasselakis, lideri i partisë opozitare Syriza.

Edhe kryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD për Janinën, Kostas Tasoulas, ka votuar paraditen e sotme për zgjedhjet europiane në shkollën e mesme të dytë të Janinës.

“Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit ne jemi prej 43 vitesh, duket se e kupton se ka ardhur koha për autonomi strategjike për sa i përket fuqisë ekonomike dhe mbrojtëse. Dhe vendi ynë, Greqia, po kërkon pozitën e saj të përmirësuar pikërisht në këtë Evropë, e cila po përpiqet për rolin e saj të ri udhëheqës global, në ekonomi, prodhimin bujqësor dhe mbrojtjen e kufijve. Prandaj, ne po marrim pjesë në këto zgjedhje evropiane, të cilat duken të jenë më vendimtaret në historinë evropiane, për të arritur përfaqësimin më të mirë të mundshëm të Greqisë në pesë vitet e ardhshme të zgjimit evropian.”, tha Tasoulas. 

Votimi ka nisur në 7 të mëngjesit dhe përfundon në 7 të pasdites, ndërsa Ministria e Brendshme ju rikujton qytetarëve se mund të votojnë me kartë identiteti, pasaportë, lejen e qarkullimit, ose me librezën e sigurimeve shëndetësore si mjet identifikimi, ndërsa pranohet edhe karta dixhitale e identitetit. Janë rreth 9.8 milion grekë të regjistruar në listat zgjedhore të cilët mund të zgjedhin deri në katër persona nga kandidatët e listës së partisë që preferojnë. Të drejtën e votës në zgjedhjet evropiane kanë edhe të gjithë 17-vjeçarët e lindur para dhjetorit 2007.

zgjedhjet europiane 2024 greqi

Sondazh

Poll