Bota

Biden në Francë: Putin nuk do ndalet nëse e pushton Ukrainën, e gjithë Evropa është kërcënuar

Në Francë, Biden është takuar edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, Biden ka prezantuar edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

8 Qershor 2024, 21:20 Nga r.ll
Biden në Francë: Putin nuk do ndalet nëse e pushton
joe biden

FRANCË- Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përsëritur të shtunën mbështetjen e fuqishme për Kievin teksa e lufton pushtimin rus, dhe ka paralajmëruar që Kremlini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse fiton. Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.

"Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë… E gjithë Evropa është e kërcënuar. Ne nuk do të lejojmë të ndodhë diçka ashtu”, ka thënë Biden, shkruan REL. “Shtetet e Bashkuara janë duke mbështetur Ukrainën. Nuk do ta braktisim, e përsëris”.

Macron e ka falënderuar Bidenin për këto qëndrime: "Faleminderit zoti president, që jeni president i fuqisë më të madhe të botës dhe që e kryeni këtë detyrë me besnikërinë e një partneri që respekton evropianët”.

Macron e ka mirëpritur Bidenin në Paris, duke konsideruar që vizita e zyrtarit të lartë amerikan shpërfaq lidhjet e fuqishme mes dy shteteve për çështjet e sigurisë globale. Biden është pritur me nderime të larta dhe dy presidentët më pas kanë kryer homazhe te ushtarët e rënë gjatë luftës, si dhe janë takuar me veteranë të Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia zyrtare ka nisur në Harkun e Triumfit në Paris. Më pas, të dy, bashkë me zonjat e para, janë nisur drejt Pallatit Elysee për një drekë pune. Biden është në Francë prej 5 qershorit, dhe bashkë me Macronin, kanë marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave ushtarake të forcave aleate në Normandi, veprim që më pas ka rezultuar me mposhtjen e nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Përgjatë përkujtimit të ngjarjeve historike, Biden ka bërë thirrje për mbrojtje të demokracisë në vendin e vet dhe përtej. Në Francë, Biden është takuar edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, Biden ka prezantuar edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

joe biden france emmanuel macron

Sondazh

Poll