Politike

Sulmi serb në Kosovë, Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën me 101 vota pro

Me 101 vota pro, pozita dhe opozita për herë të parë u bënë bashkë në mbështetje të Kosovës. 

12 Tetor 2023, 16:41 Nga I.A
Sulmi serb në Kosovë, Kuvendi i Shqipërisë miraton
Kuvendi

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për të dënuar sulmin serb në Kosovë. Me 101 vota pro, pozita dhe opozita për herë të parë u bënë bashkë në mbështetje të Kosovës. 

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm gjatë votimit të rezolutës. Ndërkohë që pas votimit të rezolutës, opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit. 

REZOLUTA

Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;

Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

· Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;  

· Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

· Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

seance plenare 12 tetor 2023

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll