Politike

Vdekja e 3-vjeçarit pas operacionit në klinikën dentare/ Debate te "Ekonomia": Të bëhet akreditimi, njerëzit po vdesin

Edhe deputeti i PD, Edmond Spaho ngriti alarmin për mos çertifikimin e këtyre klinikave, ndërsa kërkoi ndërhyrje me ligj për kontrollin e tyre.

10 Tetor 2023, 13:15 Nga r.ll
Vdekja e 3-vjeçarit pas operacionit në klinikën dentare/ Debate
foto ilustruese

TIRANË- Vdekja e 3-vjeçarit pas operimit në klinikën dentare në Tiranë, ka nxitur debate  në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku ishte thirrur në interpelancë Drejtoresha e Përgjithshme e Akreditimit, Pranvera Fagu. 

Deputeti socialist Erion Braçe ngriti i pari shqetësimin për mungesën e  akredimit të klinikave dentare apo edhe laboratorëve në mjekësi duke theksuar se mungesa e standarteve po merr jetë njerëzish.

"Na doli rasti i klinikave stomatologjike, duhet të akreditohen që të kenë një standard., Njerëzit po vdesin , ca të tjerë paguajnë, ca të tjerë vdesin. Ka ardhur koha që kjo të rregullohet me ligj kjo gjë nuk mund ta lëmë fakultative.", ka thënë Braçe.

Edhe deputeti i PD, Edmond Spaho ngriti alarmin për mos çertifikimin e këtyre klinikave, ndërsa kërkoi ndërhyrje me ligj për kontrollin e tyre.

"Abuzimet në këtë sektor, janë të dukshme. Kushdo që ka 5 lekë fillon e hap klinika duke mos garantuar cilësinë e shërbimit që pretendohet. Une mendoj që detyra është e juaja të garantoni certifikimin e institucioneve private dhe shtetërore që iu ofrojnë shërbime qytetarëve.", tha Spaho.

Në replikë, Drejtoresha e Akreditimit Pranvera Fagu, deklaroi se institucioni që drejton nuk ka fuqi obliguese ndaj kompanive private për të bërë akreditimin.

"Ne kemi detyrimin të kryejmë akreditimin, po që të detyrojmë subjektet të bëjnë akreditmin këtë nuk e bëjmë dot në ligjin tonë.Sepse këtu përfshihen të gjithë sektorët e ekonomisë", u shpreh Fagu.

3-vjeçari, Brian Spahiu humbi jetën disa ditë më parë pasi kreu një operacion në një klinikë private dentare. Fëmija u raportua se kishte qëndruar për dy ditë në gjendje kome dhe më pas ka vdekur. Dyshohet se shkak i vdekjes mund të ketë qenë sasia e lartë narkozës e përdorur në operimin që ka zgjatur 9 orë. Familjarët e të miturit kanë bërë përgjegjës mjekun anestezist Roland Xhaxho, ndërsa Policia e Tiranës dhe organi i akuzës po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.

erion brace edmond spaho pranvera fagu

Sondazh

Poll