Politike

Dënon sulmin në veri të Kosovës, PS dorëzon në Kuvend rezolutën

Në rezolutë thuhet se PS, dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur në radhët e saj.

4 Tetor 2023, 10:37 Nga r.ll

Dënon sulmin në veri të Kosovës, PS dorëzon në

TIRANË- Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend rezolutën që dënon sulmin në veri të Kosovës.

“Kërkesë për mocion dhe miratim Projekt-Rezolutë “Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në Veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”- thuhet në kërkesë.

Dënon sulmin në veri të Kosovës, PS dorëzon në

Në rezolutë thuhet se PS, dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur në radhët e saj.  Mes tjerash kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë.

“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës” thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë.

Gjithashtu ndër të tjera nënvizohet se prania e shtuar e trupave në KFOR në Veri të Kosovës është garanci për paqen në rajon.

PËRMBAJTJA E REZOLUTËS: 

REZOLUTE PËR DËNIMIN E SULMIT TË ARMATOSUR TERRORIST NË VERI TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE PËR GARANTIMIN E SIGURISË DHE PAQES NË VEND E NË RAJON

-Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;
-Në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve të saj Kushtetuese.
-Në mbrojtje të vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon:
-Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare midis Shqipërisë dhe Kosovës.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
-Dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur nga radhët e saj.
- Përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin, në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosoves dhe destabilizimin e vendit.
-Mbështet çdo masë dhe veprim të ndërmarrë nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës për të parandaluar e goditur me mjete kushtetuese e ligjore përpjekjet për të cënuar, rrezikuar, sulmuar dhe rrëzuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, jetën. sigurinë dhe harmoninë e qytetarëve të saj.

-Kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizatorëve dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët.
-Kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen politike, logjistike e morale të akteve të grupit terrorist në veri të Republikës së Kosovës.
-Inkurajon dhe përkrah të gjitha institucionet e Kosovës për punën, përkushtimin dhe përpjekjet që synojnë integrimin e plotë dhe bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
-I bën thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë strategjik që të ngrenë në nivelin me të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun eminent që po i kanoset sigurisë dhe paqes në Kosovë, në rajon e më gjerë.
-Vlerëson se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj si dhe për sigurinë dhe paqen në tërë rajonin
- Mbështet përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në një frymë paqësore e bashkëpunimi dhe bashkohet me qëndrimet e Presidentes së Republikës së Kosovës për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi mbi bazën e një projekti të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me asociacionin, i cili duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat legjitime të saj.

partia socialiste rezolute per sulmin ne kosove

Sondazh

Poll