Aktualitet

KPA lë në fuqi vendimin për ish-këshilltaren ligjore, Ornela Xhembulla

Ornela Xhembull ushtroi detyrën e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën janar 2015 – shkurt 2017, kur me urdhër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, u emërua oficere e policisë gjyqësore.

27 Korrik 2023, 17:45 Nga k.m.
KPA lë në fuqi vendimin për ish-këshilltaren ligjore, Ornela
Foto ilustruese

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 27 korrik lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për ndërprerjen e vetingut të ish-ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ornela Xhembulla, si dhe të sanksionit që i ndalon asaj rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Xhembullës ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Ornela Xhembull ushtroi detyrën e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën janar 2015 – shkurt 2017, kur me urdhër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, u emërua oficere e policisë gjyqësore. KPK konstatoi se Xhembulla duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit si subjekt i kategorisë ex officio për shkak se ushtronte detyrën e ndihmëses ligjore ur hyri në fuqi legjislacionit vetingut të magjistratëve. Po ashtu, u evidentua se ajo kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e pasurisë; atë të kontrollit të figurës; si dhe formularin e vetëvlerësimit profesional.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 17/2023, datë 05.05.2023 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ornela Xhembulla kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 645, datë 11.04.2023. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 645, datë 11.04.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit znj. Ornela Xhembulla.

2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.07.2023.

Nisur nga fakti se Xhembulla nuk e ka ankimuar ndryshimin e pozicionit të saj, KPK çmoi se tërësia e veprimeve të subjektit të rivlerësimit vinte në përputhje me vullnetin e saj për të mos qëndruar në detyrën e këshilltarit ligjor, por për të kryer detyra të tjera të ndryshme dhe më të rëndësishme. Bazuar në këto argumente, KPK e vlerësoi si dorëheqje dhe vendosi nëprerjen e vetingut së bashku me ndalimin që përcakton neni G i Aneksit të Kushtetutës që kufizon të drejtën për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare./BIRN

ornela xhembulla

Sondazh

Poll