Aktualitet

“Qeveria pagoi 30% të detyrimit”, gazetarja nxjerr faktet: Fatura e Arbitrazhit “Becchetti” futi në një zinxhir borxhesh institucionet publike

Shteti e ka ndihmuar me 32 milionë euro Albcontrol-in, nëpërmjet disa transaksioneve të fshehta në formën e huave, kjo për të fshehur dështimin.

26 Korrik 2023, 15:36 Nga DOSJA
“Qeveria pagoi 30% të detyrimit”, gazetarja nxjerr faktet:
Francesco Becchetti dhe Edi Rama

TIRANË- Duket se çështja “Becchetti” ka futur në një zinxhir borxhesh institucionet publike, ku qeveria shqiptare ka paguar de facto 30 % të detyrimit prej 108 milionë eurosh për gjyqin e humbur në Arbitrazhin ndërkombëtar. Kompania e navigimit ajror, Albcontrol, po shkon drejt një kolapsi financiar, pasi Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi bllokimin e llogarive në favor të biznesmenit Francesco Becchetti. 

Shteti e ka ndihmuar me 32 milionë euro Albcontrol-in, nëpërmjet disa transaksioneve të fshehta në formën e huave, kjo për të fshehur dështimin. Gazetarja Ola Xama risjell në fokus ndihmën e dhënë nga shteti shqiptar, ku nga të dhënat e siguruara në mënyrë konfidenciale dëshmohet një tjetër realitet. Zyrtarisht nuk pranohet që të jetë dhënë qoftë edhe “1 qindarkë”, por faktet dëshmojnë se shteti shqiptar ka ndihmuar me 32 milion euro kompaninë Albcontrol pas bllokimit të llogarive të saj pranë Eurocontrol. Kjo përbën 30% të faturës që vendi ynë i detyrohet biznesmenit italian në çështjen “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

Postimi i plotë

Edhe pse zyrtarisht nuk pranohet që të jetë dhënë qoftë dhe “1 qindarkë” nga paratë e taksapaguesve për çështjen “Beketi”, të dhënat e siguruara në rrugë konfidenciale përmes dokumentave zyrtarë tregojnë një tjetër realitet. Shteti ka ndihmuar me 32 milion euro kompaninë Albcontrol pas bllokimit të llogarive të saj pranë Eurocontrol. Kjo përbën 30% të faturës që vendi ynë i detyrohet biznesmenit italian në çështjen “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.

13.2 milion euro janë dhënë në formë huaje nga tre agjenci publike: Autoriteti Portual Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Autoriteti i Aviacionit Civil. 18.8 milion euro të tjera janë hedhur direkt nga buxheti i shtetit në llogarinë e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe më pas te Albcontrol. Llogaria e AAC është përdorur si “tranzit” pasi ligji nuk lejon injektimin e kapitalit në kompani publike.

Beketi mban të bllokuara 71.8 milion euro të llogaritë shqiptare pranë Eurocontrol, 67.3 milion euro janë para që duhet të merrte Albcontrol dhe 4.3 Autoriteti i Aviacionit Civil për tarifën “en route”.

Kjo është kosto që po paguajmë nga paratë tona për një mesazh dhe një bisedë kërcënuese nga dy zyrtarë të lartë të shtetit. 

Sondazh

Poll