Aktualitet

Digjen disa banesa në fshatin Kraps të Fierit, banorët të shqetësuar: Nuk shuhet me dorë! Era e ndihmon zjarrin, duhen mjete nga shteti

Është dita e tretë që Peshtani po lufton për shuarjen e flakëve, që kanë përfshirë fillimisht pyllin me pisha dhe  janë përhapur edhe më gjerë.

25 Korrik 2023, 17:32 Nga a.l
Digjen disa banesa në fshatin Kraps të Fierit, banorët të
Banorja e Fierit

FIER- Prej tre ditësh situata e zjarreve në pyllin me Pisha në Peshtan të Fierit ka dalë jashtë kontrollit duke zbritur në fshatin Kraps, ku disa shtëpi po digjen. Banorët kërkojnë ndihmë, ndërsa shprehen se ndihen të rrezikuar për shtëpitë apo bagëtitë e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë ndërhyrje nga ajri pasi rrezikohet i gjithë fshati.

“Jemi shumë të rrezikuar, jashtë mase. Ça të themi ne, e shikoni edhe vetë. Po afrohet zjarri te shtëpitë. Zjarri mund të fiket me ndihmat tuaja me ndihmat e shtetit. Nuk kemi çfarë bëjmë ne, ne po mundohemi”, tha një banore e fshatit.

“Janë djegur dy tre shtëpia deri tani. Nuk shuhet me dorë. Era e ndihmon zjarrin. Duhen mjete nga shteti. Janë shtëpi të banuara. Bagëtitë janë brenda në kasolle. Kërkojmë ndihma sa më shpejt”, tha një tjetër për Top Channel. 

“Një zjarrfikëse apo një avion, çfarë dreqin bëhet. Tre orë në flakë, ka nisur që në 12. Mos të shohim asnjë lëvizje këtu, unë habitem. Na dogji, na përvëloi, e kam burrin invalid, shikoni si është bërë. Të tëra na u dogjën. Ne s’kemi pasuri, vetëm një shtëpi kemi”, u shpreh një tjetër banore.

Është dita e tretë që Peshtani po lufton për shuarjen e flakëve, që kanë përfshirë fillimisht pyllin me pisha dhe  janë përhapur edhe më gjerë.

Terreni i vështirë dhe e era e ka bërë edhe më të vështirë shuarjen e zjarreve nga forcat zjarrfikëse. Flakët po përparojnë nga kodrat e Koshovicës. Në terren janë katër zjarrfikëse, ndërsa pritet ndihma nga Patosi dhe Roskoveci. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri, pasi thonë se rrezikohet i gjithë fshati. 

Marrë nga Top Channel

zjarr ne fier

Sondazh

Poll