Aktualitet

Atentati ndaj Gentjan Bejtes/ Prokuroria nuk iu beson deklarimeve të Valter Bamit, faktet kundërshtuese

Sipas organit të akuzës, deklarimet për gjurmët e barutit në duar dhe për kamerat e sigurisë në banesën e tij, me argumentin se provojnë se ndodhej me familjarët në kohën kur ndodhi vrasja e Ramazan Sinos, janë të pavërteta

25 Korrik 2023, 11:31 Nga DOSJA
Atentati ndaj Gentjan Bejtes/ Prokuroria nuk iu beson deklarimeve të Valter
Valter Bami

TIRANË- Prokuroria e Tiranës nuk iu beson thënieve të Valter Bamit, i cili u arrestua në lidhje me atentatin në Larushk të Krujës, ku u vra Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e objektivit, Gentjan Bajtja. Sipas organit të akuzës, deklarimet për gjurmët e barutit në duar dhe për kamerat e sigurisë në banesën e tij, me argumentin se provojnë se ndodhej me familjarët në kohën kur ndodhi vrasja e Ramazan Sinos, janë të pavërteta. Në sajë të kontrollit të ushtruar nga policia gjyqësore në banesën e Bamit, nuk është gjetur hard-disku i kamerave të sigurisë, për të cilin pretendon se ndodhen pamjet filmike që provojnë se në orën kur ndodhi atentati ai ishte në shtëpi. Sipas hetuesve, nuk provohet të paktën në këtë formë ajo çfarë ka pretenduar Bami.

Gjithashtu edhe arma me leje që pretendon ai, nuk është gjetur në banesë, duke krijuar dyshimet se përdorimi i armës prej tij, e provuar nga shenjat e barutit në duar, mund të jetë përdorur në një perimetër të largët me banesën. Mosgjetja e saj, krijon dyshime të arsyeshme sa i përket thënieve të të dyshuarit që akuzohet për "armëmbajtje pa leje".

Mbrojtja e Bamit pretendon se mbajtja e tij në burg është e padrejtë, pasi arma disponohet me leje, dhe se nuk është përfshirë në krimin për të cilin dyshohet. Sipas mbrojtësve, nuk ka asnjë provë që ta përfshijë atë në atentatin që dyshohet të ishte bërë ndaj Gentjan Bejtjas, por që vdiq kunati i tij dhe u plagosën 2 fëmijët e mitur.

Rreth 4 orë pas atentatit, Valter Bami së bashku me dy persona të tjerë u shoqërua dhe më pas u la i lirë. Ai u prangos pas përfundimit të analizave në laboratorin shkencor, që faktuan se në kyçin e dorës së majtë ndodheshin faktor plotësues të qitjes me armë zjarri. Bami u vu në pranga nga Policia e Tiranës pas rezultoi nga akt ekspertiza e faktorëve plotësues se kishte në dorë mbetje baruti dhe akuza ndaj tij është ajo e "armëmbajtjes pa leje". 

Valter Bami ishte një nga tre personat e parë që u morën në pyetje nga policia, si persona që mund të kishin dijeni për atentatin fill pas mesnatës së 4 Korrikut, në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjes në zonën e Larushkut. Ndërkohë personazhi kryesor në këtë ngjarje, Gentjan Bejtja, nuk është gjetur dot nga policia dhe ende nuk është marrë në pyetje.

Sondazh

Poll