Aktualitet

I shkuan për inspektim, por vetëm 4 kishin "leje"! Subjekti kallëzon 11 punonjës të IKMT, mes tyre kushëriri i ministres Manastirliu

Mësohet se bëhet fjalë për Florian Manastirliu dhe tre vartës të drejtorisë së tij.

24 Korrik 2023, 17:19 Nga k.m.
I shkuan për inspektim, por vetëm 4 kishin "leje"! Subjekti
Foto ilustruese

TIRANË- Kreu i Inspektoriatit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit në Tiranë dhe tre vartës të tij janë ndaluar nga Policia e Tiranës. Mësohet se bëhet fjalë për Florian Manastirliu dhe tre vartës të drejtorisë së tij. Kreu i IKMT-së së Tiranës, sipas Newsbomb.al është kushëriri i parë i ministres së Shëndetësisë Ogerta Manstirliu dhe ishte emëruar në këtë detyrë vetëm një muaj më parë.

Por emrat e tyre nuk janë bërë me dije në njoftimin për mediat nga Policia e Shtetit, i nxjerrë disa orë pas publikimit të lajmit. Lidhur me ngjarjen, Policia bën me dije se sot, një subjekt privat pretendon se në biznesin e tij kishin shkuar 11 inspektorë, por vetëm 4 kishin urdhër për kontroll, ndaj dhe ai njoftoi Policinë e Shtetit.  

Pas denoncimit të tij, inspektorët u shoqëruan për në Polici, e tashmë janë liruar, por po procedohen në gjendje të lirë për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë nuk jepet asnjë detaj lidhur me identitetin e tyre. 

NJOFTIMI I POLICISË LIDHUR ME NGJARJEN:

Tiranë

Më datë 24.07.2023 është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë një subjekt privat dhe ka kallëzuar se ditën e sotme, në objektin e tij, janë paraqitur 11 inspektorë të IKMT-së, dhe vetëm 4 prej tyre kishin urdhër për kryerjen e inspektimit në terren. Në ambientet e DVP Tiranë janë shoqëruar 11 shtetasit e mësipërm, të cilët pas deklarimeve përkatëse dhe komunikimit me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë proceduar në gjëndje të lirë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

florian manastirliu

Sondazh

Poll