Aktualitet

Dhuna ndaj vëllezërve Maja, Policia: Është shpallur në kërkim Rexhep Rraja

7 Korrik 2023, 21:16 Nga I.A
Dhuna ndaj vëllezërve Maja, Policia: Është shpallur në
Rexhep Rraja

KRUJË- Djali i deputetit socialist Rrahman Rraja është shpallur në kërkim pasi ka dhunuar barbarisht dy vëllezërit Maja ditën e djeshme. Policia njofton se Rexhep Rraja u identifikua nga videoja e dhunës së shpërndarë në media.

Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Ngjarja u shënua mesditën e djeshme, 6 korrik 2023, ndërsa sot Policia e Shtetit informoi se ka arrestuar 4 persona ndërsa 3 u shpallën në kërkim. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për tia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar.

Sondazh

Poll