Politike

Studentët paralajmëruan bojkot të vitit akademik/ Caslli: Ligji thjesht shtyn datën e prerjes së biletës

Aktivistja Elona Caslli i mëshon faktit se veç ligjit, asgjë nuk i mban këta të rinj në këtë vend, dhe ky është një bilanc tragjik për çdo komb.

6 Korrik 2023, 17:05 Nga DOSJA
Studentët paralajmëruan bojkot të vitit akademik/ Caslli: Ligji
studentet ne proteste

TIRANË- Aktivistja Elona Caslli është zëri i radhës që reagon në lidhje me protestën e studentëve. Ajo thotë qartësisht me anë të një qëndrimi publik të shpërndarë në Facebook, se ligji për studentët e Fakultetit të Mjekësisë shtyn datën e largimit të mjekëve, por kurrsesi nuk e zhbën këtë datë. Elona Caslli parashtron pyetjen se përse nuk ka lindur më parë nevoja e këtij ligji. Ajo i mëshon faktit se veç ligjit, asgjë nuk i mban këta të rinj në këtë vend, dhe ky është një bilanc tragjik për çdo komb.

Statusi i plotë

Ligji shtyn datën e prerjes së biletës për t'u larguar, por kurrsesi nuk e zhbën këtë datë.

Debate të ndryshme dhe këndvështrime të ndryshme kanë lindur sa i përket ligjit për studentët e Fakultetit të Mjekësisë që i shtrëngon këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri pas diplomimit.

Nuk dua ta trajtoj fare çështjen në marrëdhënien e shifrave mes asaj se sa paguajnë këta studentë për çdo vit akademik dhe sa i detyrohen shoqërisë shqiptare për studimet e tyre, pasi e kanë trajtuar të tjerë në këtë këndvështrim.

Thelbi tragjik në gjithë këtë proces është që ligji për studentët e Fakultetit të Mjekësisë shtyn thjesht datën e largimit të mjekëve, por kurrsesi nuk e zhbën këtë datë.

Thelbi tragjik në këtë proces është që këta të rinj e shohin Shqipërinë si vend të pajetueshëm dhe të papërshtatshëm për të ngritur jetën dhe karrierën e tyre. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe kjo dëshirë e skajshme për largim.

Pse nuk ka lindur nevoja e këtij ligji më parë?! Pse lind nevoja për këtë ligj në vitin 2023?! Sepse veç ligjit, nuk ka asgjë që i mban këta të rinj në këtë vend dhe ky është një bilanc tragjik për çdo komb.

U hartua një ligj për studentët e Fakultetit të Mjekësisë që konsiderohet " zgjidhje", por vetëm zgjidhje nuk është .

Po për degët e Fizikës dhe Matematikës që rrezikojnë të mbyllen nga numri i pakët i studentëve çfarë do të bëhet?!

Do të hartohet ligj dhe për këto degë?!

Do të detyrohen maturantët të studiojnë në këto degë me ligj?!

Nuk ka ligj që ndalon largimin e të rinjve shqiptarë. Ligji thjesht shtyn datën e prerjes së biletës.

Post Scriptum- I vetmi ligj që mund të ndalonte largimin e të rinjve shqiptarë është një Shqipëri e jetueshme, por për fat të keq kryeministri nuk e ka në vizionin e tij një Shqipëri të tillë.

Qeveria ndërmori një nismë ligjore, me të cilën thotë se ka për qëllim plotësimin sa më parë të nevojave për mjekë që ka vendi. Studentët e Mjekësisë protestuan para Kuvendit, duke kundërshtuar pr/ligjin e qeverisë e cila kushtëzon diplomimin me një punësim të detyruar, aty ku e cakton shteti. Në të kundërt studentët që do të refuzojnë të firmosin marrëveshjen, do tu duhet të paguajnë studimet me tarifat e reja që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave. Ata paralajmëruan bojkot të vitit akademik dhe padi në Gjykatën Kushtetuese.

Sondazh

Poll