Politike

Vizita në Prishtinë, Osmani konfirmon takimin me Ramën

Ky takim po zhvillohet pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh më herët se nuk do ta takojë kryeministrin Rama gjatë vizitës në Kosovë.

5 Korrik 2023, 21:14 Nga A.B
Vizita në Prishtinë, Osmani konfirmon takimin me Ramën
Edi Rama dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Kryeministri Edi Rama do të pritet ditën e nesërme në Prishtinë nga presidentja Vjosa Osmani. Kjo u bë e ditur nga zyra e shtypit e presidentes, ku tregohet edhe ora e takimit. 

“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Osmanit.

Ky takim po zhvillohet pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh më herët se nuk do ta takojë kryeministrin Rama gjatë vizitës në Kosovë, nëse nuk do të mbahet mbledhja e dy qeverive. Ai ftoi Ramën që gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë më 6-7 korrik, të vijohet me mbledhjen e dy qeverive që u anulua në Gjakovë.

'Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua paarsyeshëm. Në mënyrë që këto marrëveshjet e dakorduara të mos mbeten në sirtar unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen dy ditë në Prishtinë ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë procesin e Berlinit. Është për mua e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Për takime personale ne të dy kemi kontakt të drejtpërdrejtë. Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo në takime të tjera'- tha Kurti.

edi rama albin kurti

Sondazh

Poll