Politike

'Pritja e lamtumirës!'/ Ambasadori gjerman largohet nga Shqipëria: Do ju mbështesim në rrugën drejt BE-së

Ai tha se Gjermania dhe Shqipëria janë sot më të lidhura se kurrë, e ndërsa turistët gjermanë kanë gjithmonë e më shumë interes të shtuar

5 Korrik 2023, 16:52 Nga m.s
'Pritja e lamtumirës!'/ Ambasadori gjerman largohet nga
Peter Zingraf

TIRANË- Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, në pritjen e lamtumirës deklaroi se për 4 vite rresht ai me bashkëshorten janë ndier si në shtëpinë e tyre, dhe se vendi i tij do mbështesë Shqipërinë drejt BE-së. Duke bërë një bilanc të situatës, ai tha më tej se Gjermania dhe Shqipëria janë sot më të lidhura se kurrë, e ndërsa turistët gjermanë kanë gjithmonë e më shumë interes të shtuar.

“Shqipëria dhe rajoni i saj janë pjesë e palëvizshme e  hartës politike evropiane, bisedimet e anëtarësimit po realizohen. Në Tiranë është zhvilluar një samit i BE-së me Ballkanin Perëndimor, pas verës do të kemi kënaqësinë e Ministerialit dhe Samitit të Procesit të Berlinit”.

Sipas tij, “Gjermania dhe Shqipëria janë sot më të lidhura se kurrë, dhe në shumë qytete gjermane ka fluturime direkte, turistë gjermanë janë duke ardhur në shifra të mëdha si vizitorë kureshtarë dhe të hapur”.

Zingraf siguroi se “Gjermania do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive këtu në vend, për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë shqiptarët, e në mënyrë të veçantë në përmirësimin e mundësive të të rinjve dhe atyre në zonat rurale”.

Ai vuri në dukje se duhet të vijojnë përpjekjet për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Pikat kryesore për procesin e anëtarësimit në BE janë mes të tjerash reforma në administratë, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në veçanti, institucionet e reja të reformës në drejtësi kanë nevojë për mbështetje të mëtejshme masive, në mënyrë që ato të mund të zhvillojnë efektet e tyre në një afat të gjatë. Unë dëshiroj shumë që Shqipëria të ecë e vendosur në këtë rrugë. Gjermania do ta mbështesë më tej politikisht rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, u shpreh ai.

Pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar si ambasador në vendin tonë, Peter Zingraf pritet të marrë një detyre të re./Dosja.al

peter zingraf

Sondazh

Poll